image Vrasja në Prizren, Gjykata lë në paraburgim 'Kobrën' dhe pesë të tjerët

Drejtësi

Vrasja në Prizren, Gjykata lë në paraburgim ‘Kobrën’ dhe pesë të tjerët

news image

Gjykata Themelore në Prizren, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren për vazhdimin e paraburgimit ndaj Dibran Hoxhës i njohur si “Kobra” dhe pesë të pandehurve të tjerë A.V., B.M, J.B, K.G. dhe E. A,, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, Visart Cengu.

Në vendim thuhet se masa e paraburgimit ndaj të gjashtë pandehurve vazhdohet edhe për një muaj.

I pandehuri Hoxha po dyshohet për veprat penale vrasje e rëndë, mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve dhe manipulimi me prova.

Ndërsa, të pandehurit tjerë po dyshohen për veprat penale pjesëmarrja në rrahje dhe manipulimi me prova.

Sipas këtij vendimi, gjykatësja e procedurës paraprake ka vlerësuar se kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit është e bazuar.

Në vendim thuhet se janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit, ngase të pandehurit me qëndrim në liri mund të fshihen apo arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Po ashtu, në vendim thuhet se duke pasur parasysh se të dyshuarit janë të njohur për organet e drejtësisë, janë kryerës edhe të veprave të tjera penale të natyrës së ndryshme, tregojnë rrezikun e përsëritjes së veprave penale dhe nga kjo bazë ligjore është e arsyeshme për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Ndryshe, me 3 janar 2023, rreth orës 04:00 pas një përleshjeje të nisur në lokalin e natës “Kobra City”, nga të shtënat me armë zjarri një person mbeti i vrarë, kurse një tjetër është plagosur, të dy shtetas të Shqipërisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

/GazetaSinjali/