image Seanca për vrasjen e rëndë në Ferizaj u mbajt në QKUK, Prokurori Jashari tregon për Sinjalin vendimin e Gjykatës - Sinjali

Seanca për vrasjen e rëndë në Ferizaj u mbajt në QKUK, Prokurori Jashari tregon për Sinjalin vendimin e Gjykatës

news image

Seanca ndaj Qëndrim Januzit, i dyshuar për vrasjen e 30-vjeçarit Gazmend Hysenit është mbajtur dje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi gjendja e tij akoma nuk është stabile. Prokurori i rastit, Shukri Jashari ka treguar për Sinjalin lidhur me vendimin e Gjykatës.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Jashari tha se ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, të cilën tash për tash do ta mbajë në QKUK për shkak të gjendjes shëndetësore të të dyshuarit.

Ngjarja tragjike ndodhi më 28 maj, në rrugën ‘Rexhep Bislimi’ në qytetin e Ferizajt, ku mbeti i vrarë 30-vjeçari Hyseni, ndërsa mbeti i plagosur personi i dyshuar për vrasjen, Januzi.

Gazeta Sinjali ka publikuar mbrëmë pamje ekskluzive nga momenti kur Januzi ka shtënë me armë zjarri në drejtim të 30-vjeçarit.

Sipas pamjeve, aty shihet se e gjithë ngjarja ka ndodhur në prani të Policisë të cilët ishin rastësisht në vendngjarje.

Ata ishin ndalur për të marrë ujë në market, kur vërejnë të dyshuarin me pistoletë në dorë duke ikur, pasi kishte shtënë shtatë herë në drejtim të viktimës Gazmend Hysenit.

Në tentativë për ta ndaluar, i dyshuari nuk përfilli urdhrin e zyrtarit policor dhe për një moment ishte kthyer me pistoletë në dorë, duke e drejtuar kah zyrtari policor .

Për të zmbrapsur rrezikun dhe për të ndaluar personin e dyshuar për vrasjen e rëndë, pjesëtari i Policisë, Njësiti Antidrogë në Ferizaj, ka qëlluar në drejtim të Januzit, duke e goditur në nofull dhe si pasojë e plagëve, i dyshuari menjëherë u pasivizua.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga Gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin