image Vrasja e Liridonës, familja Ademaj i jep familjes Murseli dy ditë besë

Ekskluzive

Vrasja e Liridonës, familja Ademaj i jep familjes Murseli dy ditë besë

news image

Detajet e para të natës tragjike të 29 nëntorit ku mbeti e vrarë 30-vjeçarja, Liridona Ademaj Murseli morën kthesë sot kur Policia e Kosovës arrestoi burrin e saj Naim Murselin, Granit Plavën e Kushtrim Kollakën si të dyshuar për vrasjen e saj në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Pak orë para se të arrestohej, Naim Murseli mori pjesë në ceremoninë e varrimit të Liridonës, ceremoni kjo që u krye në fshatin e tij. Ndërsa, vetëm pak orë pas arrestimit të të njëjtit, u raportua se familja Ademaj ka kërkuar nga Policia e Kosovës zhvarrimin e trupit të Liridonës nga aty ku u varros.

Ndër tjera, Gazeta Sinjali merr vesh ekskluzivisht se familja Ademaj, familjes Murseli i ka dhënë dy ditë besë.

Sinjali po ashtu mëson se Naimi Murseli dhe Kushtrimi Kokalla kanë pasur raporte shumë të afërta, teksa vazhdimisht janë parë pranë njëri-tjetrit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë sot gjatë ditës tha se është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra, duke shtuar se të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve do të ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore.

Naim Murseli i cili dyshohet se pagoi Granit Plavën për ta kryer vrasjen e gruas në sy të fëmijëve, në varrimin e të ndjerës priti e përcolli të afërmit që kishin ardhë për ngushëllime.

Pamje nga ceremonia e varrimit të Liridona Murselit
Pamje nga ceremonia e varrimit të Liridona Murselit

Pas arrestimit të Naimit, babai i tij Shaban Murseli njoftoi se për shkaqe familjare janë anuluar të pamet për Liridonën.

Sinjali nga burimet e veta merr vesh se Granit Plava, i cili dyshohet se u pagua nga Naim Murseli për kryerjen e vrasjes së rëndë është bashkëfshatar i këtij të fundit. Sinjali po ashtu mësoi se bazuar në dëshminë e të dyshuarit për vrasjen e Liridona Murselit, i njëjti është paguar nga bashkëshorti i saj me një shumë prej 30 mijë euro.

Këto janë vetëm detajet e para që janë zbuluar pas arrestimit të dy të dyshuarve dhe pritet të konfirmohen nga organet e rendit pasi të sigurohen provat e nevojshme.

Po ashtu, deri më tani nuk dihen shkaqet e kryerjes së këtij krimi që tronditi opinionin publik.Naimi dhe Liridona kishin 12 vite të martuar.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/