image Vrasja e Haxhi Ahmetit me eksplozivë në Gjakovë/ I dyshuari ekstradohet nga Shqipëria në Kosovë

Drejtësi

Vrasja e Haxhi Ahmetit me eksplozivë në Gjakovë/ I dyshuari ekstradohet nga Shqipëria në Kosovë

news image

Haxhi Ahmeti është vrarë me eksplozivë, të cilët ishin vendosur në kutinë postare afër derës së shtëpisë së tij, mëngjesin e 14 tetorit në vitin 2018, në Smolicë të Gjakovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Si i dyshuar për vrasjen e tij, gjashtë muaj më parë, gjatë një operacioni të forcave të rendit në Shqipëri, në një hotel në Gjirokastër u kap Dodë Gjikolaj, i dyshuar si vrasës me pagesë.

Gazeta Sinjali mëson se Gjikolaj është ekstraduar sot nga Shqipëria tek autoritetet kosovare.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj, i cili tha se Gjikolaj është intervistuar dhe momentalisht ndodhet në ndalim policor.

“I dyshuari u është dorëzuar autoriteteve kosovare sot rreth orës 11:00. Ai është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit është bërë ndalimi policor për 48 orë”, tha Xhurkaj.

Familja e Haxhi Ahmetit ndodhet në hasmëri me kushërinjtë tash e disa vite.

Konflikti kishte nisur në vitin 2013, kur Ali Ahmeti, djali i Haxhi Ahmetit, u ekzekutua me tre plumba nga xhaxhai i tyre, Abaz Ahmeti, i cili për këtë krim është dënuar me burgim.

Djali i Haxhi Ahmtit, Ganiu, edhe për vrasjen e babait të tij, e lë fajtor familjen e xhaxhait të tij. Ai akuzon Bajram Ahmetin, djalin e Abaz Ahmetit, se qëndron prapa vrasjes së të atit që dyshohet të jetë kryer nga Dodë Gjikolaj.

Pas vrasjes së Ali Ahmetit më 2013, Gani Ahmeti kishte tentuar po atë vit të merrte hak ndaj kushërinjve për vrasjen e vëllait të tij. Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës për “tentim vrasje” dhe për këtë vepër ishte dënuar me 2 vjet e gjysmë burgim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/