image Vrasja e gruas në Prishtinë, Haxhiu: Kërkojmë drejtësi sikurse për të gjitha viktimat e tjera

Politikë

Vrasja e gruas në Prishtinë, Haxhiu: Kërkojmë drejtësi sikurse për të gjitha viktimat e tjera

news image

Thirrjet po bëhen për asnjë më shumë, ndërkohë që sot një grua vdiq pas vrasjes makabre nga i dyshuari, bashkëshorti i saj.

Në hapjen e fushatës globale të 16 ditëve të aktivizimit, e gjeti Kosovën me edhe një viktimë të dhunës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar drejtësi për rastin e vrasjes së gruas nga Prishtina.

“Nuk mund të vazhdoj fjalën time pa shprehur ngushëllimet e mija për familjen e gruas së vrarë sot në Prishtinën. Është një grua e vrarë nga bashkëshorti, edhe një rast që na tronditi të gjithëve, kjo na bën që secili prej nesh në rolet dhe përgjegjësitë që kemi të vazhdojmë punën edhe më shumë, edhe më fort që raste të tilla të mos dëgjojmë kurrë më, as edhe një më shumë. Ndërsa prej këtu kërkojmë drejtësi edhe për gruan e vrarë sot në Prishtinë sikurse për të gjitha viktimat e tjera”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja Haxhiu ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të veprojnë në ndjekjen e rasteve të dhunës.

“Kundër dhunës ndaj grave duhet të jemi të gjithë njëzëri, nuk mund të lejojmë dhunën para syve tanë, nuk mund të lejojmë të shkelën të drejtat e vajzave dhe grave dhe të rrezikohet drejtësia. Institucionet ekzistojnë për qytetarët dhe janë garantues të funksionimit të një shoqërie të civilizuar. Institucionet e drejtësisë ndonëse fatkeqësisht nuk i kemi sonte këtu kanë rol esencial në jetën qytetare dhe duhet të veprojnë duke adresuar secilin rast dhe atë me seriozitet të plotë. Derisa ta bëjmë këtë do të vazhdojmë të flasim pa mbarim dhe zëshëm me qëllim te ndërgjegjësimit të gjithmbarshëm qytetar për të dënuar dhe kundërshtuar dhunën ndaj tjetrit dhe jo vetëm në kuadër të kësaj kampanje”, ka thënë Haxhiu.

Pasditen e së premtes, Haxhiu ka thënë se në rast se institucionet nuk veprojnë, shteti dështon së ofruari mbrojtje për viktimat.

/GazetaSinjali/