Policia e Shqipërisë njofton se ka gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri një pusetë pas klinikës ku mjekohej ilegalisht autori i dyshuar i vrasjes në fshatin Gjormë, Kurbin, ku mbeten të vrarë me armë zjarri dy shtetas dhe u plagos një tjetër.
Të dyja armët dyshohet se janë përdorur në ngjarjen kriminale.
Eduart Lamaj mbeti i plagosur nga atentati dhe disa ditë pas ngjarjes pas rëndimit të gjendjes shëndetësore ka shkuar për t’u mjekuar te spitali privat ilegalisht.
Dy mjekët që e operuan u arrestuan dhe ndodhen në burg për moskallëzim krimi dhe pengim të zbardhjes së vërtetës, shkruan Tch, transmeton Gazeta Sinjali.
Ndërkohë, kujtojmë se Gjykata e Kurbinit i ka komunikuar masën e sigurisë arrest me burg në ambjentet e spitalit Eduard Lamajt i cili është autori i vrasjes së Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit.
30 vjeçari ka pranuar autorësinë e ngjarjes, madje ka treguar edhe bashkëpunëtoret. Ai është shprehur se ka pasur për qëllim vetëm të trembte dhe jo të vriste njeri./Gazeta Sinjali/
Njoftimi i plotë i policisë:
Vijon puna hetimore intensive dhe e pandërprerë për dokunentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më 30 maj 2020, në autostradën Mamurras-Lezhë, në fshatin Gjormë, Kurbin, ku mbeten të vrarë me armë zjarri dy shtetas dhe u plagos një tjetër.
Në vijim të veprimeve të kryera, në rrugën “Pjetër Budi”, në një pusetë pas klinikës ku mjekohej ilegalisht autori i dyshuar i vrasjes, u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri pistoleta që dyshohet se janë përdorur në ngjarjen kriminale.
Më parë, falë informacioneve policore u bë i mundur lokalizimi i autorit, kapja e prangosja e tij, si dhe prangosja e dy mjekëve që mjekonin ilegalisht autorin e dyshuar.
Vijojnë veprimet nga Komisariati i Policisë Kurbin, DVP Lezhë, në bashkëpunim me DVP Tiranë në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë Kurbin, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.