Zbardhet dosja e plotë e prokurorisë për vrasjen e biznesmenit Kastriot Reçi dy ditë më parë në mes të Rrëshenit. Ngjarja ndodhi para lokalit të 47-vjeçarit, më 7 janar. Mësohet se vrasësi i Reçit zbriti nga një makinë ngjyrë gri tip ‘Benz’ në orën 06:35, para pallatit 9 katësh, ku kreu edhe qitjen nga kati i fundit.
Raportohet se qitja u bë nga banesa e shokut të Armando Gjinit (Një nga viktimat e sagës së hakmarrjes mes dy familjeve Gjini dhe Reçi). Autori ka zbritur nga një makinë tip “Mercedes Benz” ngjyre gri. Pasi ndalon, ai ka hapur derën e djathtë të pasme të makinës dhe ka nxjerrë dy çanta.
Njëra është çantë e thjeshtë, kurse tjetrën prokuroria e cilëson si “çantë për mbajtjen e armëve të gjata”.
Kamerat e kanë fiksuar personin mashkull të veshur me një xhup të hapur me tegela horizontale. Pasi ka lënë personin në fjalë pranë hyrjes së pallatit, makina është larguar në drejtim të rrugës së tregut,-raporton prokuroria.
Gjatë kësaj periudhe autori ka pirë ujë dhe ka ngrënë disa kikirikë, të cilat më pas i ka lënë aty dhe janë sekuestruar nga prokuroria në cilësinë e provës materiale, gjithashtu është sekuestruar dhe një kanatjere.
Kur Reçi mbërriti në rrezen e armës, qitësi ka marrë shenjë dhe me një të shtënë ka kryer porosinë duke e lënë objektivin të vdekur.
Ora shënon 12:07 minuta dhe kamerat e sigurisë kanë fiksuar të dalë nga hyrja e pallatit një person të gjatë, me flokët e gjata bisht që largohet me shpejtësi nga zona, sërish në drejtim të tregut.
Sipas përshkrimit të prokurorisë, personi ka të veshur një fustan të zi dhe poshtë tij ka të veshura tuta me viza të errëta.
Më poshtë momenti i vrasjes së Kastriot Reçit: