Një 23-vjeçar nga Kosova mëngjesin e së dielës në Berlin e goditi disa herë me sëpatë një 27-vjeçare ukrainase, deri kur ajo vdiq.
Policia e qëlloi kosovarin, duke e lënë të vdekur, ndërsa organet atje po merren me hetimin e rastit.
“A ishte akti i një të çmenduri të dehur nga droga dhe alkooli?”, thuhet në shkrimin e sotëm të gazetës së njohur gjermane, Bild për krimin, të cilin e quan “akt horror”.
Kjo gazetë shkruan se kosovari i kishte goditur me sëpatë tetë dyer të banesave në ndërtesën ku e kreu krimin.
Der Westen, ndërkaq, shkruan se “ky akt mizor në Berlin të lë pa fjalë”.
Edhe policia nuk mundi të parandalonte gjakderdhjen, shkruan kjo gazetë.
Në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë ishin dëshmitar të një krimi monstruoz. 23-vjeçari u gjet duke e goditur me sëpatë 27-vjeçaren nga Ukraina, e cila ishte e shtrirë në tokë në banesën në katin e 9-të të ndërtesës.
“Kur shërbimet e urgjencës mbërritën në vend, një burrë po e godiste një grua me sëpatë, kështu që oficerët përdorën armën e zjarrit”, tha zëdhënësi i policisë Martin Dams në një deklaratë.
Siç raportoi Bild të martën (6 shtator), ka të dhëna se 27-vjeçarja është ukrainas dhe ka punuar si prostitutë. 23-vjeçarin, mediat e identifikojnë si shqiptar nga Kosova.
Veçanërisht tronditëse janë përshkrimet e fqinjëve, të cilët e panë atë me sëpatë në katin e nëntë dhe të dhjetë të ndërtesës. Mësohet se ai i ka thyer edhe ngrohëset me sëpatën e përgjakur.
“Ma goditi edhe derën time, pashë një djalë me pamje të çrregullt”, citon Bild njërin nga qiragjinjtë në atë ndërtesë.
/GazetaSinjali/