15 mijë e 577 aplikues kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës, ndërsa 3 mijë e 259 të tjerë jo, pasi nuk plotësuan kriteret juridike. Këto të dhëna i ka bërë të ditura zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Shifrat e prezantuara nga KQZ-ja janë shumëfish më të ulëta krahasuar me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të para disa muajve.
Për zgjedhjet e 14 shkurtit ishin regjistruar më shumë se 102 mijë votues nga jashtë vendit edhe pse koha ishte shumë e shkurtër.
Zëdhënësi i KQZ-së, ka bërë të ditur se gjatë periudhës 40 ditore në total KQZ-ja ka pranuar 18 mijë e 836 aplikacione për regjistrim, por që jo të gjithë kanë plotësuar kriteret juridike.
“Gjatë periudhës 40 ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, 10 korrik – 18 gusht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 18,836 aplikacione për regjistrim. Pas shqyrtimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së, janë aprovuar 15,577 aplikacione, ndërsa janë refuzuar 3 mijë e 259 aplikacione pasi nuk plotësuan kriteret juridike”, tha ai.
Sipas Elezit, numri i aplikuesve që arritën të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është dukshëm më i ulët nëse krahasohet me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, kur ishin regjistruar më shumë se 102 mijë votues, ndërsa është pak më i lartë krahasuar me zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2017.
“Nëse bëjmë një krahasim të të dhënave të këtij procesi zgjedhor me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit apo edhe të zgjedhjeve të fundit lokale që janë mbajtur në vitin 2017 atëherë mund të vërejmë që gjatë këtij procesi zgjedhor për zgjedhjet lokale të vjeshtës numri i aplikuesve që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 15 mijë e 577”, deklaroi ai.
“Ky numër është më i lartë krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017 kur në atë kohë kemi pasur rreth 10 mijë e 500 aplikues që ishin regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës, por është numër dukshëm më i ulët krahasuar me shifrat e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit. Vetëm në procesin e fundit zgjedhor pra të 14 shkurtit 2021 numri i aplikuesve që kishin arritur të regjistroheshin suksesshëm si votues jashtë Kosovës ka qenë më shumë se 102 mijë”, ka shtuar Elezi për EO.
Po ashtu, ai bëri të ditur se emrat e votuesve të regjistruar suksesshëm jashtë vendit, do të largohen nga lista votuese e cila shpërndahet në vendvotime në Kosovë.
Të gjithë aplikuesit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës do të mund të votojnë më vonë përmes postës, duke filluar nga 15 shtatori.
Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu më 15 tetor.