image "Voto Gazin", "nuk e ndërroj Ramushin"/ Ky është motivi për plagosjen e mbrëmshme në Pejë

Siguri

“Voto Gazin”, “nuk e ndërroj Ramushin”/ Ky është motivi për plagosjen e mbrëmshme në Pejë

news image

Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi për plagosjen e Sezair Belegut në “Çarshinë e Gjatë”, në Pejë, nga i dyshuari Bashkim Racaj, punëtor i një qebaptoreje përballë qendrës zejtare. Belegu po trajtohet në QKUK për shkak të plagëve nga 3 plumbat që i mori, ndërkaq i dyshuari gjendet në ndalim për 48 orë. Lidhur me këtë rast, Gazeta Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive.

Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se e gjithë ngjarja dyshohet se filloi nga një bisedë që i dyshuari kishte me viktimën, te kioska e këtij të fundit në “Çarshinë e Gjatë” për votën që do ta japin në zgjedhjet lokale të së dielës.

“Voto Gazin” – “S’e ndërroj Ramushin”

Siç kanë njoftuar burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë, i dyshuari ka deklaruar se derisa po shkonte për në punë, ishte ndalur te kioska e viktimës, ku janë përshëndetur dhe kanë biseduar se kë duhet votuar për kryetar të Pejës.

I dyshuari, Bashkim Racaj, sipas burimeve të Sinjalit, ka thënë se viktima Sezair Belegu i ka kërkuar ta votojë Gazmend Muhaxherin për kryetar të Pejës, por që ai nuk e pranon një gjë të tillë, pasi që sipas tij, ai nuk e “ndërron askënd përveç Ramush Haradinajt”.

Edhe pse biseda e tyre mbaroi në ato momente, ngjarja duket se vazhdoi pas pak kohe, kur i dyshuari Racaj u kthye sërish te kioska e Belegut.

Sipas të njëjtave burime brenda Prokurorisë, Racaj ka thënë se e ka “përjetuar rëndë”  kërkesën për ta votuar Gazmend Muhaxherin dhe nuk ka duruar, duke i shkuar më pas Belegut te kioska, ku ka shtënë në drejtim të tij.

Çka i tha Belegu Racajt para se të plagosej?

Bashkim Racaj dyshohet se pasi është takuar me Belegun ka shkuar të puna e tij, ku e kishte marrë revolen, për të cilën ka deklaruar se askush nuk e dinte që e posedonte dhe ishte nisur për te viktima.  

Posa kishte arritur në vendin e ngjarjes, Racaj ka deklaruar se fillimisht ka shtënë një herë me armë, kur Belegu i kishte thënë se “çka u ba vlla”. Në ato momente ai kishte shtënë dy herë në drejtim të tij.

Burimet e Sinjalit po ashtu njoftuan se i dyshuari në fillim ka thënë se arma ishte e pronarit të qebaptores ku punonte, por më pas ka deklaruar se kjo nuk është e vërtetë, pasi sipas tij ai posedonte armë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/