image Votat e partive politike më 2019 dhe në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021

Votat e partive politike më 2019 dhe në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021

news image

Kosova të dielën e 14 shkurtit 2021 votoi për zgjedhjet parlamentare.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 48,17% apo 374 mijë e 913 vota nga qytetarët e Kosovës.

Krahasuar me zgjedhjet e mbajtura në vitin 2019, ku Vetëvendosje kishte marrë 26,27% apo 221 mijë e 001 vota, shihet se në zgjedhjet e këtij viti ka arritur ta përmbysë këtë rezultat.

Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 ndonëse doli e dyta si parti në nivel vendi,  krahasuar me përqindjen e votave që kishte marrë në zgjedhjet e vitit 2019, del se PDK ka pasur rënie të elektoratit. Në zgjedhjet e 14 shkurtit, sipas rezultatit të deritashëm PDK ka marrë 17,35% apo 135 mijë e 009 vota, kurse në zgjedhjet e tetorit 2019, kishte arritur të marrë 21,23% apo 178 mijë e 637 vota duke u renditur si partia e tretë.

Lidhja Demokratike renditet e treta.

Në këto zgjedhje LDK deri tani ka 13,18 % apo 102 mijë e 616 vota. Kurse në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK ishte renditur e dyta me 24,54% apo 206 mijë e 516 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në këto zgjedhje, sipas rezultatit preliminar të KQZ-së ka arritur të marrë 7,42% apo 57 mijë e 774 vota. Në zgjedhjet e tetorit 2019, AAK e cila ishte në koalicion me PSD-në kishte marrë 11,51% apo 96 mijë e 872 vota.

Në anën tjetër Nisma Socialdemokrate në këto zgjedhje nuk e ka kaluar pragun sipas rezultatit të deritanishëm ku ka marrë vetëm 2,59% apo 20 mijë e 189 vota. Në zgjedhjet e vitit 2019 kjo parti e cila ishte në koalicion me AKR-në dhe PD-në kishte marrë 5,02% apo 42 mijë e 083 vota.

Rezultatet e vitit 2021 mund të ndryshojnë deri pas numërimit të votave edhe me kusht dhe të diasporës. /Gazeta Sinjali/