Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mori të enjten dozën e parë të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit.
Von der Leyen postoi në Twitter fotografi duke u vaksinuar.
“Jam shumë e lumtur që kam marrë sot dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi”, shkroi von der Leyen.
“Ritmi i vaksinimit do të përshpejtohet, pasi dërgesat në BE po përshpejtohen”, tha ajo.
Një zëdhënës i saj tha se ka qenë radha e Von der Leyenit për t’u vaksinuar, në bazë të rregullave të fushatës së vaksinimit në Belgjikë, transmeton rel.
Sipas tij, deri më tash janë vaksinuar shtatë nga 27 komisionarët evropianë.
Bashkimi Evropian është kritikuar për fushatë të ngadalshme vaksinimi, por zyrtarët në Bruksel kanë fajësuar problemet me furnizimin.
BE-ja ka miratuar për përdorim katër vaksina kundër koronavirusit: Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.
Të gjitha, përveç të fundit, duhet të jepen me nga dy doza për të qenë sa më efektive. /Gazeta Sinjali/