Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se Bashkimi Evropian do t’i ndihmojë Kosovës në krizën energjetike, por duhet të kursehet energjia.
Ajo të enjten e ka vizituar Kosovën, ku gjatë një konference për media ka thënë se Kosova e ka problem furnizimin me energji elektrike për shkak të varësisë nga importi.
Po ashtu Ursula von der Layen, ka thënë se është plani mbështetës 500 milionësh i BE-së, ku një pjesë nga kjo shumë do ta përfitojë edhe Kosova për ta përballuar krizën energjetike.
“Do të ofrojmë mbështetje të fortë për të ndërtuar kapacitete të reja për të zëvendësuar qymyrin me prodhim nga energjia e ripërtërihme. Kemi dhe planin 500 milionë euro që do ta mbështes Kosovën në këtë aspekt, në plan afatshkurtër Kosova është e përfshirë në planin e BE-së”.
Po ajo ka shtuar se shtetet e BE-së janë duke e kursyer energjinë elektrike, këtë duhet ta bëjë edhe Kosova.
“Shtetet e BE-së kanë kursyer 15 për qind të energjisë”, ka thënë ajo.
Ajo ka deklaruar se në çdo plan të BE-së për energjinë përfshihet edhe Kosova.
E ka pranuar që dimri do të jetë i vështirë, por thotë se janë të përgatitur më shumë sesa dimrin e kaluar.