image Vlerësimi i trajnerit Lamouchi për Arjanet Muricin

Sport/ Vlerësimi i trajnerit Lamouchi për Arjanet Muricin

news image

Trajneri i Nottinghamit, Sabri Lamouchi e ka lavdëruar portierin kosovar të huazuar nga Manchester City, Arijanet Muricin, për sjelljen e tij si profesionist.

Nottingham Forest do të kthehet në fushën e lojës sot, kur do të udhëtojë në “Ashton Gate” për t’u përballur me Bristol Cityn në Championship, nivelin e dytë të futbollit në Angli.

Skuadra e Lamouchit e siguroi transferimin e Muricit në formë huazimi për një sezon gjatë afatit kalimtar të verës, mirëpo 21-vjeçari i huazuar nga Manchester City s’ka arritur të lë gjurmë në Championship ashtu siç do të kishte dashur.

Murici luajti në katër ndeshjet e para të sezonit 2019/20, mirëpo tani pozitën e portierit të parë e mban Brice Samba, i cili ka qenë mbresëlënës në portë dhe e ka lënë Muricin në bankinë.

Megjithatë, Lamouchi është shumë i impresionuar nga sjellja e kosovarit që kur ai e humbi vendin në formacionin e parë të skuadrës.

“Ai është shumë pozitiv në seancat stërvitore dhe është një djalosh i mirë. Ai ka qenë shumë i mirë. Është ende portier i ri, i ka ende vetëm 21 vjet. I luajti dy ndeshje me ekipin kombëtar dhe u kthye të stërvitej me ne. Është profesionist”, ka thënë Lamouchi.

Pep Guardiola mund të bindet ta kthejë Muricin në Manchester City në janar, për shkak të mungesës së minutave të lojës që kosovari po i ka në Nottingham. Kampionët në fuqi të Anglisë mund të preferojnë ta dërgojnë Muricin në një klub tjetër në formë huazimi për pjesën e dytë të sezonit.