Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Shqipëri ka kërkuar nga presidenti shqiptar, Ilir Meta, që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën përmes të cilës do ta dënonte gjenocidin serb të kryer në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
Osmani u shpreh se këtë rezolutë ku flitet për krimet e kryera nga Serbia dhe që kërkohet që kryerësit të dalin para drejtësisë tashmë Kosova e ka miratuar, ndërsa tha se natyrshëm presin që vendi i dytë që do ta miratojë të njëjtin të jetë Shqipëria.
“E para ka të bëjë me kërkesën tonë, që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë deklaratën ose rezolutën ose vendimin sido që duhet në përputhje me rregullat e Kuvendit që do të dënonte gjenocidin serbë në Kosovë. Kuvendi ynë tashmë e ka miratuar këtë deklaratë, ku flitet për krimet e kryera nga Serbia dhe kërkohet që kryerësit të dalin para drejtësisë dhe është krejtësisht e natyrshme që presim që vendi i dytë që ta bëjë këtë pas Kosovës të jetë Shqipëria”, tha ajo.
Ndërsa, për këtë kërkesë, presidenti Ilir Meta tha se shpreh solidaritetin e plotë dhe se beson që institucionet e Shqipërisë do të tregojnë solidaritetin e tyre.
“Dua të shpreh solidaritetin të plotë me rezolutën e Kuvendit të Kosovës që dënon gjenocidin serb të ndodhur në Kosovë dhe është një moment për të kërkuar drejtësi deri në fund për të gjithë viktimat e këtij gjenocidi dhe të kësaj dhune, pasi ende e dimë që vrasësit e vëllezërve Bytyqi janë të lirë dhe madje gëzojnë edhe mbrojtje të veçantë edhe pse ka edhe një rezolutë të Kongresit amerikan për këtë çështje. Por, edhe dimë mijëra e mijëra raste të dhunimeve, të përdhunimeve të ndodhura në Kosovë dhe të pagjeturve ende. Kështu që në këtë drejtim unë besoj që institucionet e Shqipërisë do të tregojnë solidaritetin e tyre”, tha ai.
Po ashtu, Osmani e Meta, u shprehën se në këtë takim kanë diskutuar edhe për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe mundësisë për rritje të bashkëpunimit sa i përket furnizimit me vaksinën anti-COVID.