Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se beson që muajin e ardhshëm do të hapen shkollat për disa klasë, raporton Gazeta Sinjali.
Vitia u shpreh se janë në diskutime të vazhdueshme me Ministrinë e Arsimit dhe shtoi se beson që sidomos klasët e nënta dhe ato të dymbëdhjeta mund të kthehen në bankat e shkollës në qershor.
“Jemi në diskutime të vazhdueshme me Ministrinë e Arsimit. Unë besoj që në qershor, jo të gjitha klasët, një pjesë e klasëve. Sidomos klasët e nënta dhe të dymbëdhjeta”, tha Vitia në konferencën për shtyp.
Ai shtoi se “edhe për çerdhe gjithashtu jemi në diskutim”.
“Po besojmë dhe po shpresojmë që situata epidemiologjike ka me vazhdu me qenë kështu e mirë, që sa më shpejtë ta marrim vendimin e tillë”, tha ai.
Paraprakisht, Vitia tha se kur të hapen shkollat e çerdhet, maskat, distanca dhe higjena do të bëhen të domosdoshme.
“Shkollat dhe çedhet do të hapen por maskat, distanca dhe higjena duhet të bëhen të domosdoshme”, u shpreh Vitia. /Gazeta Sinjali/