Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka thënë se në Kosovë ende nuk ka ndonjë rast të konfirmuar me koronavirus.
“Deri më tani, akoma nuk kemi asnjë rast të konfirmuar me Covid 19 në Kosovë”, ka thënë ai, transmeton Gazeta Sinjali.
Vitia më tej ka thënë se në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin e koronavirusit, gjatë ditës së sotme të gjitha institucioneve shëndetësore publike dhe private do t’u dorëzohet qarkorja informative me rekomandime specifike që kanë për qëllim mbrojtjen e stafit shëndetësor, sigurinë e pacientëve dhe qytetarëve që kërkojnë shërbime në këto institucione.
Qeveria e Kosovës mbrëmë në një mbledhje të jashtëzakonshme miratoi propozimin për masat parandaluese ndaj koronavirusit. Në këtë propozim ishin të përfshira 11 pika, ku në mesin e të cilave më e rëndësishmja ishte pezullimi i mësimit deri më 27 mars./Gazeta Sinjali/