Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.
Në takim u diskutua për situatën aktuale në Kosovë për sa i përket menaxhimit në Kosovë të pandemisë Covid-19.
Siç bëhet e ditur në njoftim, ambasadori Abbott e ka përgëzuar ministrin në detyrë, Vitia për punën e bërë nga Ministria dhe institucionet e tjera në përgjigje ndaj situatës epidemiologjike me Koronavirusin Covid-19 dhe shprehu mirënjohjen e tij për përfshirje në këto masa edhe të komuniteteve pakicë në Kosovë, veçanërisht të komunitetit serb.
“Ambasadori theksoi nevojën e bashkëpunimit duke injoruar dallimet politike për sa i përket qasjes në menaxhimin e situatës me Koronavirusin Covid-19 në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Tutje, ministri Arben Vitia e ka informuar Ambasadorin Abbott lidhur me masat e ndërmarra nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19 në Kosovë.
Gjithashtu, shprehu falënderimin e tij për mbështetjen që në vazhdimësi Kosovës i ka dhënë Mbretëria e Bashkuar si në rrafshin politik ashtu edhe në atë shëndetësor si dhe gatishmërinë për të shtuar angazhimet në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës së Kosovës pa dallim. /GazetaSinjali/