image Vitia pritet të kyçet në autostradë

Sociale

Vitia pritet të kyçet në autostradë

news image

Autostradës “Arbër Xhaferi” pritet t’i shtohet një hyrje – dalje e re.

Kjo planifikohet të bëhet në fshatin Gërlicë, e që pritet të shfrytëzohet nga banorët e Vitisë por edhe disa fshatrave për-rreth të Ferizajt e Kaçanikut.

“Pas përfundimit të projektit dhe elaboratit të shpronësimit, ka filluar procedura e prokurimit për kyçje. Po i shfrytëzojmë këto muaj të dimrit për t’i përfunduar procedurat në mënyrë që në pranverë të fillojmë me punime”, ka shkruar Hysen Durmishi, zëvendës-ministër i Infrastrukturës e Transportit.

Për vitiasit kjo është dashur të bëhet qysh moti.

Ndërsa, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti thotë se për këtë investim të nivelit qendror janë njoftuar vetëm nga mediat, dhe se nuk kanë qenë fare në kontakt me dikasterin që e drejton Liburn Ailiu.

“Edhe nga ne kemi pas dëshirë me marr pjesë e me qenë të kyçur e transparent që me pas debat edhe me qytetarë në mënyrë që kjo t’i plotësoj kriteret normale”.

Madje, sipas Halitit shuma e ndarë prej 2.8 milionë euro, zor që do te mbyll këtë projekt.

Ndërsa, për shoqërinë civile diçka e tillë po bëhet vetëm falë presionit të nivelit lokal e komunitetit.

Një projekt i ngjashëm fillimisht ishte iniciuar nga ish-ministri Bajram Hasani në vitin 2018, e më pas edhe ishte projektuar nga dikasteri i njëjtë por i drejtuar nga Pal Lekaj, por që nuk ka pasur deri më tani asgjë konkrete në terren.

/GazetaSinjali/