Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në Komisionin për Shëndetësi ka folur për situatën me COVID-19, ku tha se edhe vendet më të zhvilluara vazhdojnë të kenë probleme në përballje me pandeminë, dhe jo vetëm Kosova, shkruan Gazeta Sinjali.
Ministri Vitia u shpreh se Kosova nga fillimi është përballur me shumë probleme në shëndetësi, edhe ato më bazike.
“Republika e Kosovës nga fillimi u përballë me shumë probleme edhe me ato nga më baziket, si mungesa elementare e pajisjeve dhe barnave dhe kjo na dëshmoi se mungesa e investimeve për dy dekada në shëndetësi patën koston e vet në një mënyrë aspak të lehtë dhe të dhimbshme për qytetarët tanë”, tha Ministri Vitia.
Vitia gjithashtu tha se përkundër të gjitha masave, rrezikun vazhdon dhe do të vazhdojë marrë parasysh variantet e reja të cilat janë paraqitur gjatë kësaj kohe.
“Nga varianti fillestar Alfa e pastaj Delta, në pamë se vetëm me organizim dhe bashkëpunim, mund të zvogëlojmë numrin e dhembjeve. Deri vonë kemi pasur vetëm disa masa në dispozicion, masa të zakonshme, distancë, maska e higjiena”./GazetaSinjali/