image Vitia: Ende nuk kanë ardhur 7 mijë testet që kemi thënë se do të vijnë më 17 mars

Kosovë

Shëndetësi/ Vitia: Ende nuk kanë ardhur 7 mijë testet që kemi thënë se do të vijnë më 17 mars

news image

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se Kosova nuk i ka pranuar ende 7 mijë testet për të cilat nënshkroi kontratë me një operator ekonomik i cili tha se do i sillte testet më 17 mars, shkruan Gazeta Sinjali.

Vitia tha se momentalisht në Kosovë janë 2 mijë e 600 teste. Kurse, pjesa tjetër pritet të vjen deri në javën e ardhshme.

“Në dispozicion, tani që po flasim, janë diku rreth 2600 teste, akoma. Nesër do të vijnë edhe 2 mijë teste të konfirmuara. Pastaj, të martën do të vjen edhe 1 kontigjent tjerët me 2 mijë teste. Dy mijë teste nesër do të vijnë nga kontrata që e kemi pasur më herët me një nga operatorët ekonomikë edhe dy mijë teste të tjera nga po kjo kontratë”, ka thënë Vitia.

Ministri në detyrë tha se operatori ekonomik nuk i ka sjellë testet për të cilat është kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë, pasi, sipas tij, ka pasur probleme me furnizim në të gjithë botën.

“Me datën 27 dhe 28 mars, operatori ekonomik i cili është kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë për të sjellë 7 mijë teste. Informatën të cilën ne e kemi marrë, ka qenë që me datën 28, mos gaboj, të vijnë testet nga operatori ekonomik dhe unë kam bërë edhe një postim publik, sepse atë ditë kanë pasur të vijnë të gjitha testet dhe atë ditë operatori ekonomik për shkak të situatës tanë që ekziston me problematikën e furnizimit të testeve, jo vetëm në Kosovë, ka mund të sjellë vetëm një kontigjent dhe jo të gjithë kontigjentin që ka pasur ta sjellë atë ditë”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, Vitia garanton se asnjë rast i dyshuar nuk ka mbetur pa u testuar.

“Në çdo rast në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës në bashkëpunim me Laboratorin e Mikrobiologjisë kanë garantuar dhe i garantoj të gjithë qytetarët se në asnjë rast, asnjë person që ka pasur indikacione epidemiologjike deri më sot, nuk ka mbet pa u testuar”, tha ministri në detyrë i Shëndetësisë.

Vitia ka njoftuar se teste për Kosovën ka dhuruar edhe UNDP-ja dhe ato pritet të vijnë në Kosovë gjatë javës së ardhshme. Kurse, Luksemburgu tha se ka ndarë 2 milionë euro për Kosovën si ndihmë në luftën kundër COVID-19.

“Kurse 2500 deri në 3000 teste të tjera do të vijnë nga UNDP, është veçse e konfirmuar. Dje, e kam konfirmuar se ato do të sillen nga mesi i javës kanë thënë, por gjatë javës gjithsesi. Në ndërkohë, me Qeverinë e Luksemburgut,në një bisedë telefonike që kam pasur pardje me ministren e Shëndetësisë, Qeveria e Luksemburgut ka ndarë rreth 2 milionë euro për Kosovën, për ta menaxhuar më mirë situatën me COVID-19 dhe shumica e këtyre mjeteve do të shërbejnë për blerjen e testeve dhe për blerjen e masave mbrojtëse, sidomos për personelin shëndetësor”, tha Vitia në Interakiv./Gazeta Sinjali/