Kryebashkiaku i kryeqytetit të Ukrainës, Vitali Klitschko ka thënë se aleatët perëndimorë duhet të reagojnë pa humbur kohë ndaj agresionit rus që po ndodh në Ukrainë.
Ish-boksieri i njohur ka thënë se Rusia ka shkelur të gjitha të drejtat ndërkombëtare dhe ka copëtuar një vend në mes të Evropës.
“Partnerët e Ukrainës duhet të zbatojnë sanksione të ashpra kundër Rusisë menjëherë! Pa asnjë vonesë! Rusia ka asgjësuar të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare, duke bërë copë-copë vendin në qendër të Evropës. Ajo nuk tregon asnjë qëllim për të ndaluar sulmin e saj. A duhet të prodhojmë argumente të reja për të bindur kombet demokratike që të ndërmarrin veprime të bashkërenduara për të ndaluar agresorin?”, ka thënë ai në rrjete sociale.
Rusia ka njohur pavarësinë e Luhanskut dhe Donetskut, dy rajone në lindje të Ukrainës, një pjesë e të cilave kontrollohet nga forca pro-ruse të përkrahura nga shteti rus.