Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV), ka asgjësuar një numër të shpezëve në 36 ferma familjare, në lokacione të ndryshme nëpër Kosovë, për shkak të diagnostikimit të tyre me virusin H5N8, apo siç njihet ndryshe, gripi i shpezëve, transmeton Gazeta Sinjali.
Lamir Thaçi, zëdhënës në këtë institucion, tha se pas konfirmimit të prezencës së këtij virusi, në fund të muajit të kaluar, AUV-i është duke monitoruar situatën në terren, më qëllim të parandalimit dhe luftimit të kësaj sëmundje.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nga dita e parë e shfaqjes së dyshimeve për prezencë të sëmundjes së gripit të shpezëve ka ndërmarrë të gjitha hapat për parandalimin e sëmundjes në vendin tonë, është një sëmundje që ka qenë e pamundur të përjashtohet duke e ditur që janë prekur të gjitha shtetet e rajonit dhe përhapja e sëmundjes bëhet përmes shpezëve shtegtarë dhe përballë kësaj ne si autoritet ditët e para kur kemi marr lajmërimet nga fermerët menjëherë kemi nisur ekipet për të kryer hulumtimet”, ka deklaruar Thaçi.
Sipas tij deri më tani në Kosovë nuk ka shpezë të prekura në ndonjë fermë komerciale, produktet e të cilave janë të pranishme në treg dhe për këtë arsye, nuk ka dyshim apo rrezik për konsum të produkteve nga fermat vendore.
Thaçi thotë se kanë sugjeruar konsumatorët të kenë kujdes gjatë furnizimit me mish të shpezëve dhe me vezë.
“…deri më tani ne kemi kryer asgjësime në 36 ferma dhe jemi duke pranuar lajmërimet nga fermerët përmes numrit të kontaktit pa pagesë që ne menjëherë e kemi funksionalizuar, po ashtu përmes drejtorisë së shëndetit janë duke u kryer të gjitha organizimet në terren, deri më tani ne kemi arritur që ta mbajmë nën kontroll situatën”, ka thënë ai.
Tutje ai tha se situata është nën kontroll, duke shtuar se sipas hulumtimeve ndërkombëtare rreziku është i ulët për tu përhapur ky grip përmes produkteve.
“Sipas hulumtimeve shkencore të organizatave ndërkombëtare është rrezik u ulët i mundësisë së përhapjes së këtij gripi përmes produkteve, dhe ajo çka rekomandohet është që të mbahet higjiena dhe kushtet e tjera sanitare qoftë në rastet ku blihet dhe ruhen produktet, femrat të cilat rezultojnë pozitiv në bazë të analizave bazuar në udhëzimin administrativ kërkohet që ne ti asgjësojmë gjitha shpezët në një fermë dhe produktet nëse ka në këto ferma. Janë të prekura fermat e ekonomive familjare të cilat nuk nxjerrin produkte në treg”, ka deklaruar Thaçi.
“Në secilin hap dhe hulumtim për të gjithë qytetarët kemi qenë transparentë, fillimisht kemi dhënë rekomandimet për fermerët ata të cilët janë kategori apo grupi më të rrezikuar po ashtu edhe për të gjithë konsumatorët dhe ata duhet të ndihen të sigurt sepse produktet të cilat janë në treg asnjëra prej tyre nuk janë nga ndonjë fermë e prekur sepse ferma komerciale ende po qëndrojnë të lira bazuar në punën që është duke bërë autoriteti dhe vet fermerët“, tha ai për EO.
Virusi H5N8, është virus vdekjeprurës për shpezët në ferma dhe shpezët e egra. Në vitin 2021, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shtatë persona punëtorë të një ferme janë infektuar në Rusi me këtë virus.
Ky virus, është duke qarkulluar në fermat në vende të ndryshme të Evropës që nga viti 2014. Sipas OBSH-së, infektimi me këtë virus i njerëzve konsiderohet shumë i ulët. Personat e infektuar duhet të mbikëqyren minimum 10 ditë, për të kontrolluar simptomat. /GazetaSinjali/