image "Ma nxorri thikën në dhomë pa dritë, ma bajke o fol o ka me ta nxjerrë shpirtin", rrëfimi i viktimës që u keqtrajtua nga polici Naim Krasniqi

Siguri

“Ma nxorri thikën në dhomë pa dritë, ma bajke o fol o ka me ta nxjerrë shpirtin”, rrëfimi i viktimës që u keqtrajtua nga polici Naim Krasniqi

news image

Gazeta Sinjali ka raportuar ngjarjet që çuan deri tek arrestimi i policit Naim Krasniqi nga Lipjani, i cili duke besuar se tre persona ia kishin ngacmuar seksualisht gruan, kishte urdhëruar arrestimin e tyre, të cilët më pas ishin keqtrajtuar fizikisht në stacionin policor në Lipjan.

Njëri prej tyre, viktima Sh.R, (emër i njohur për redaksinë), i cili thotë se ka qenë i detyruar ta pranojë fajin shkaku i maltretimeve të mëdha ka folur ekskluzivisht për Gazetën Sinjali. Ai thotë se asnjëri prej tij dhe shokëve nuk kishte të bëjë me ngacmimin e gruas së Krasniqit, teksa shton se këtë mund ta dëshmojnë edhe kamerat. Sipas tij polici i ka parë kamerat tek pompa e benzinës në kohën kur është sulmuar gruaja e tij, kohë kur ka rastisur të jetë edhe ai me shokët e tij dhe kjo ka çuar deri tek arrestimi.

“Unë isha me shokin tim të fëmijërisë që kishte ardhur nga Gjermania për pushime dhe atë natë isha në punë deri në ora 9:00. Erdh me më pa dhe edhe dolum në qytet për të pirë diçka. Pastaj në ora 10:00 është mbyllur lokali dhe kemi dalur për të ecur me vetura ku pastaj kemi takuar edhe një shok tonin. Atë e kemi marrë për të shkuar në një pompë të benzinës, për të blerë diçka edhe për t’u shëtitur e pak ma vonë shkuam në shtëpi. Pas tre dite kanë ardhur dy zyrtarë të policisë ma kanë bo: a je ti Shkelqimi, thashë po. Ata më thanë hajde me neve se kemi pak punë. I thashë po, veç t’i kryej edhe do punë, Më pas më kanë dërguar në stacion. Nuk kam dit asgjë, më vonë e kam kuptuar që polici i ka pa kamerat në atë kohë kur kemi qenë bashkë e që ka rastis se i është ngacmu gruaja. Unë s’kam asgjë të bëj me rastin”, ka thënë ai.

Sh.R thotë se në stacion policor ishte maltretuar aq shumë nga polici Naim Krasniqi, saqë ia kishte nxjerrë thikën dhe e kishte kërcënuar “me nxjerrje të shpirtit”.

“Si kam hyp në veturë kanë filluar që të bërtasin, më kanë çu në oborr të stacionit. Aty Naim Krasniqi ka fillu me më kontrollu edhe me më sjell me grushta kah ka mujt, tani mka kap më ka çu me një dhomë pa dritë edhe apet ka fillu me më sjell edhe ma bojke fol çka ke fol, unë s’isha as në dijeni për çka o ka më thotë se bile me m’pas tregu nashta ish kan ma kallaj. Në dhomë ku më ka shti ma ka nxjerr thikën pa dritë ma bojke o fol o ka me ta nxjerr shpirtin”, shtoi viktima për Sinjalin.

Sh.R thotë se nga presioni ka qenë i detyruar ta pranojë fajin dhe i ishte kërkuar t’i japë 100 euro që të mbyllet çështja, shumë të cilën thotë se ende nuk e ka paguar.

“Më kanë thënë se duhesh me pagu gjobën 100 euro e nëse e pagun brenda pak ditësh të bie më lirë, diku 50 euro dhe ta përmbyllim këtë çështje, mos ta bëjmë të madhe. Unë gjobën ende nuk e kam pagu pasi që nuk e shoh të arsyeshme”, ka shtuar viktima.

Viktima thotë se ka qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me Inspektoratin Policor për rastin në fjalë.

Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi edhe për viktimën tjetër që është keqtrajtuar nga Krasniqi. B.B, baxhanak i policit, ka thënë se pasi që e kanë rrahur nga njësiti policor në Lipjan, i kanë treguar se një gjë të tillë e kanë bërë gabimisht. /Gazeta Sinjali/