image Viktima e aksidentit në Deçan, ish-kandidat i VV-së për kryetar komune

Siguri

Viktima e aksidentit në Deçan, ish-kandidat i VV-së për kryetar komune

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot për vdekjen e një 62-vjeçari i cili ka ndërruar jetë si pasojë e aksidentit në fshatin Rastavic të Deçanit. Bëhet fjalë për tashmë të ndjerin, Bilall Hadërgjonaj.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëpuntorit tonë shumëvjeçar, Bilall Hadergjonaj nga fshati Pobërgjë. Ndajmë dhembjen me familjen, miqtë dhe gjithë ata që e njohën. U prehsh në paqe Bilall!”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.

Për vdekjen e Hadërgjonajt kanë reaguar shumë figura publike, përfshirë kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn dhe ish-kryetari, Rasim Selmanaj.

Hadergjonaj ka qenë kandidat i VV-së në zgjedhjet për kryetar të komunës së Deçanit në vitin 2013.

Më pas, ai kishte kaluar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës gjersa ishte pjesë e Kuvendit Komunal.

Si ndodhi aksidenti?

Burime e Sinjalit nga Prokuroria bëjnë të ditur se viktima Bilall Hadërgjonaj kishte pësuar vet-aksident pasi ishte duke qarkulluar në rrugën Gjakovë – Deçan, i njëjti duke mos ju përshtatur shpejtësisë kishte humbur kontrollin dhe në një moment ka dal nga rruga.

Më pas, me të dalur nga vetura dhe gjatë kalimit të rrugës në kursin nga drejtimi i Gjakovës, 62-vjeçari është goditur nga një veturë e cila ishte në lëvizje.

Sipas burimeve të Sinjalit, shoferi i veturës është Fitim Rexhaj, 34-vjeçar. Sipas informacioneve të para, Rexhaj ishte duke vozitur veturë me targa të huaja në drejtim të rrugës Gjakovë – Decan.

62-vjeçari ishte dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal në Gjakovë e më pastaj për shkaqe të natyrës së lëndimeve është dërguar në QKUK. Mirëpo, plagëve nuk ka mundur të ju bëjë ballë dhe për pasojë, 62-vjeçari ka ndërruar jetë në orët e para të ditës së sotme.

Ndërsa, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për Obduksion.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/