image Shkelin masat antiCOVID, tre gjakovarë arrestohen nga Policia (VIDEO) - Sinjali

Shkelin masat antiCOVID, tre gjakovarë arrestohen nga Policia (VIDEO)

news image

Policia e Kosovës gjatë 24-orëve të fundit ka gjobitur 2 mijë e 221 persona për mosrespektim të masave antiCOVID, njofton Gazeta Sinjali.

Gjatë ditës së sotme policia ka shqiptuar dënime për mosrespektimin e masave kundër COVID edhe në qytetin e Gjakovës, ku disa prej tyre edhe nuk janë pajtuar me dënimet.

Një sinjalizues ka dërguar video në adresë të Gazetës Sinjali, ku shihet se Policia e Kosovës ushtron forcë, pasi që tre persona të dyshuar për mos respektim të masave, nuk i pranojnë gjobat dhe nuk tregojnë dokumente të identifikimit.

Ndërkaq, Lumni Graisha, drejtor rajonal në Policinë e Gjakovës për Sinjalin ka deklaruar se personat e dyshuar kanë treguar rezistencë pasive duke mos u identifikuar dhe duke mos ju bindur urdhrave të policisë.

Graisha ka bërë të ditur se të njëjtit janë shoqëruar në stacionin policor, si dhe në konsultim me prokurorin kujdestar është iniciuar rast për kundërvajtje e cilësuar si “Prishje e Rendit dhe Qetësisë Publike”.

“Të dyshuarit kanë treguar rezistencë pasive duke mos identifikuar dhe duke mos ju bindur urdhrave të policisë. Të njëjtit janë shoqëruar në stacionin policor. Ku në konsultim me prokurorin kujdestar është iniciuar rast për kundërvajtje e cilësuar si “Prishje e Rendit dhe Qetësisë Publike“, deklaroi ai.

Ndërkaq, sipas sinjalizuesve, ngjarja ka ndodhur sot pasdite te rrethi, afër stacionit të autobusëve në Gjakovë.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin