Vdekja tragjike e 19-vjeçares Betina Ymeri, nga fshati Vinarc i Epërm në Mitrovicë, ka tronditur vendin. Ajo dyshohet se kishte vendosur që t’i japë fund jetës së saj, për shkak të kërcënimeve serioze nga i fejuari i saj. Ky i fundit u arrestua për shtytje në vetëvrasje, ndërsa sot ka dalë para Gjykatës, për caktimin e masës së sigurisë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se kërkesa për paraburgim ndaj Leotrim Shalës, i dyshuar për këtë rast është aprovuar. Gjykata ka vendosur që t’ia caktojë këtë masë të sigurisë në kohëzgjatje prej 1 muaji.
Shala po dyshohet për veprat penale ‘Shtytje në vetëvrasje’ dhe ‘Ndihma në vetëvrasje’.
Ndryshe, sipas informacioneve të para mbi këtë rast tronditës, vajza ka bërë vetëvrasje duke u varur në litar.
Ajo u dërgua pa shenja jete në Spitalin e Mitrovicës, mbrëmjen e 8 shtatorit. Mjekët konstatuan vdekjen e saj, teksa trupi i pajetë më pas u dërgua në IML për obduksion.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.