image Veterani i NATO-s, Jamie Shea komenton darkën Kurti-Vuçiq: BE-ja e ka kuptuar se kjo është një temë e rëndësishme

Politikë

Veterani i NATO-s, Jamie Shea komenton darkën Kurti-Vuçiq: BE-ja e ka kuptuar se kjo është një temë e rëndësishme

news image

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, i cili ishte ithtar i Aleancës gjatë luftërave në Bosnje dhe Kosovë ka komentuar takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Berlin. Sipas tij, ndikimi i mundshëm rus në Ballkan e ka bërë kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz që t’i ulë në takim Kurtin e Vuçiqin, nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak.

Shea, i cili ishte anëtar i Stafit Ndërkombëtar të NATO-s për 38 vjet, e sheh të rëndësishme temën e ndikimit të mundshëm të Rusisë në rajon.

“BE-ja më në fund e ka kuptuar se kjo është një temë e rëndësishme. Politika e kaluar ishte e keqe, e vuri të gjithë përgjegjësinë për anëtarësim në kurrizin e vendeve të rajonit. BE-ja duhej të ndihmonte më shumë dhe të ishte më aktive në ndihmën e transformimit. Tani kemi sërish shumë aktivitete, shohim se kancelari gjerman Olaf Scholz organizoi një takim mes Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock pati një turne të madh në rajon. I dërguari i SHBA-së Gabriel Escobar është gjithashtu aktiv. Perëndimi tregon se Ballkani është sërish i rëndësishëm për të”, tha ai në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve, Index.

Bashkimi Evropian duhet të zhvillojë një qasje më fleksibël dhe t’u sigurojë disa vendeve kandidate disa përfitime nga anëtarësimi, veçanërisht në aspektin ekonomik, thotë Shea. Sipas tij, procesi i anëtarësimit do të duhetj të ishte gradual.

Ai foli edhe për ndikimin e Rusisë në rajon përmes Serbisë, ndërsa theksoi se Vuçiq “duhet të kuptojë se Perëndimi dhe Rusia do të largohen gjithnjë e më shumë për shkak të luftës në Ukrainë” dhe se “nuk do të jetë më e mundur të ulesh në dy karrige”.

“Ai do të duhet të zgjedhë. Vuçiq thuhet se tha se do ta bënte këtë në gjashtë javët e ardhshme. I takon atij të vendosë”, thotë Shea.

Shea aktualisht është anëtar i Grupit të Këshilltarëve Strategjikë të Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s në SHAPE në Belgjikë.

/GazetaSinjali/