image Veteranët e UÇK-së paralajmërojnë protesta pasi që Gjykata Speciale rrit numrin e ftesave

Kosovë

Thirrjet/ Veteranët e UÇK-së paralajmërojnë protesta pasi që Gjykata Speciale rrit numrin e ftesave

news image

Gjykata Speciale vitin 2020 e ka nisur me ftesa të njëpasnjëshme për ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vetëm brenda 20 ditësh, kjo Gjykatë ka ftuar për intervistim 10 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati për EO, ka thënë se Gjykata Speciale vazhdon të jetë e papranueshme dhe e padrejtë.

Gucati ka theksuar se edhe protestat nuk përjashtohen nëse është nevoja, për të treguar që Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka qenë e pastër dhe nuk ka të bëjë asgjë me akuzat që po i bënë Gjykata Speciale.

“Është e vërtetë që Gjykata Speciale edhe këtë vit ka filluar me një ritëm shumë të madh të ftesave. Deri më tash ka dërguar 10 ftesa, që i ka ftuar 10 veteranë të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, prej tyre janë 4 të dyshuar dhe 6 në cilësinë e dëshmitarit. Për ne gjithmonë ka qenë e papranueshme dhe është e papranueshme dhe arsyeja është se është gjykatë e njëanshme, e padrejtë në këtë aspekt, kështu që për ne tash jemi bërë edhe si njëjtë me këto ftesa nga gjykata. Por ne kategorikisht jemi kundër tyre se UÇK ka qenë një luftë e drejt që e kemi bërë në vendin tonë, por përkundrazi ne e kemi larguar ushtrinë serbe nga Kosova’’, ka thënë Gucati.

Kujtojmë që ndër të ftuarit nga Gjykata Speciale këtë vit janë, Agron Limani si i ftuari i parë dhe deputetët e PDK-së, Ferat Shala dhe Elmi Reçica./Gazeta Sinjali/