Nëse bëni ushtrime me stomak bosh, ndoshta nuk keni nevojë për një suplement para ushtrimeve. Sipas një studimi të ri nga studiues në Malajzi, vetëm nuhatja e çokollatës, pa e ngrënë atë, mund të ndihmojë në përmirësimin e performancës fizike, ka shkruar The New York Post.
Në studim morën pjesë 23 të rinj, të cilët u ndanë në tri grupe.
Njëri grup nuhati çokollatë të zezë me 90 për qind kakao, grupi i dytë çokollatë qumështi me 60 për qind kakao, ndërsa grupi i tretë vetëm ujë. Më pas ata kryen ushtrime për muskujt e këmbëve.
Rezultatet treguan se ata që nuhatën çokollatën e zezë arritën të bënin mesatarisht 18 përsëritje më shumë, ndërsa ata që nuhatën çokollatë qumështi bënë rreth 9 përsëritje shtesë.
Pavarësisht kësaj, pjesëmarrësit nuk ndienin se po lodheshin më shumë.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se aroma e çokollatës së zezë uli ndjesinë e urisë dhe rriti ndjenjën e ngopjes.
“Aroma e çokollatës së zezë e mashtron trurin, duke krijuar paraprakisht ndjesinë e ngopjes, sikur organizmi të kishte konsumuar një ushqim të pasur”, ka shpjeguar autori kryesor i studimit, Mohamed Nashrudin bin Naharudin
Sipas tij, çokollata nuk është domosdoshmërisht unike në këtë efekt.
“Mendojmë se edhe aroma e ushqimeve të tjera mund të ketë ndikim të ngjashëm. E rëndësishme është që aroma të jetë e njohur dhe e këndshme për personin, në mënyrë që të ndikojë në oreks dhe performancë”, ka thënë ai.
Studiuesit theksojnë se kjo metodë mund të jetë e dobishme për ata që bëjnë ushtrime herët në mëngjes ose gjatë agjërimit me ndërprerje, kur nuk dëshirojnë të hanë para ushtrimeve. Megjithatë, ata theksojnë se nuhatja e çokollatës nuk zëvendëson një ushqyerje të shëndetshme, por mund të shërbejë si një ndihmë psikologjike për të rritur performancën gjatë ushtrimeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!