image Kosova me 330 ushtarë në stërvitjen e madhe ushtarake - Sinjali

Kosova me 330 ushtarë në stërvitjen e madhe ushtarake

news image

Kosova do të jetë pjesë e stërvitjes më të madhe ushtarake amerikane me aleatët e NATO-s, “Defender Europe 21”, me 330 ushtarë, kanë njoftuar autoritetet e vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e ka quajtur ngjarje shumë të rëndësishme bashkëpunimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë amerikane në stërvitjen e përmasave që s’është parë në vitet e fundit në rajon.

“Kjo stërvitje ka ndikim të jashtëzakonshëm në mjedisin e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe shpreh fuqishëm qëllimin strategjik dhe përkushtimin e SHBA-së dhe aleatëve të saj, në mesin e tyre edhe Kosovës, për një Ballkan dhe Evropë, në paqe, siguri dhe stabilitet. Stërvitja ‘DEFENDER-Europe 21’ na ofron mundësinë më të mirë për të rritur aftësitë tona së bashku me SHBA-në dhe aleatët e partnerët tjerë, në mënyrë që të jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo lloj krize. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë stërvitje si vend partner i SHBA-së, është ngjarje e rëndësishme që dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë, përmes gatishmërisë dhe ndërveprimit ushtarak të FSK-së me forcat amerikane dhe forcat e vendeve partnere”, ka thënë Mehaj, në një konferencë për media të enjten.

Në anën tjetër, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka thënë se ushtrimi ka për qëllim të ndërtojë gatishmërinë operacionale dhe ndërveprueshmërinë mes aleatëve dhe partnerëve.

Pjesëmarrja e FSK-së në këtë ushtrim ka domethënie të madhe, pjesëmarrja e FSK në këtë ushtrim ngrit aftësitë e personelit tonë në kryerjen e detyrave. Pjesëmarrja në këtë ushtrim demonstron aftësinë e vendit për të shërbyer si partner strategjik i sigurisë në regjion dhe më gjerë. FSK do të vazhdojë të jetë pjesë e ushtrimeve dhe trajnimeve ndërkombëtare për të ngritur aftësitë e veta operacionale dhe të jetë e ndërveprueshme me partner”, ka thënë Rama.

Kosova në këtë ushtrim do të jetë në mesin e 16 vendeve pritëse, sipas MM-së.

FSK-ja është e përfshirë me 330 pjesëtarë. Pjesa kryesore e ushtrimit do të realizohet nga data 17 deri 29 maj 2021. Komanda e Lartë dhe Audienca Sekondare do të jenë të vendosur në Aeroportin e Gjakovës, kurse Ushtrimi Fushor do të realizohet në Zonën e Trajnimit në “Babaj të Bokës” në komunën e Gjakovës./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: