image Vetëm dy të intervistuar nga ahengu me të shtëna armësh në Deçan, ku mori pjesë kryeministri Haradinaj

Kosovë

Policia/ Vetëm dy të intervistuar nga ahengu me të shtëna armësh në Deçan, ku mori pjesë kryeministri Haradinaj

news image

Policia në Deçan ka identifikuar vetëm dy të dyshuar teksa ua ka konfiskuar atyre dy armë, në lidhje me të shtënat masive me armë zjarri gjatë një ahengut të organizuar në Bjeshkën e Bellas të komunës së Deçanit, shkruan Gazeta Sinjali.

Në këtë ngjarje, në mesin e shumë armëmbajtësve pa leje, kishin qenë të pranishëm edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe vëllai i tij deputeti, Daut Haradinaj.

Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për këtë ngjarje duke publikuar video ku shihen persona të armatosur duke shtënë me armë zjarri.

“Pasi është pranuar autorizimi nga Prokuroria Themelore në Pejë, për veprime te caktuara hetimore, nga Policia e Stacionit policor ne Deçan është identifikuar lokacioni ku ka ndodhur vepra, janë identifikuar dy të dyshuar të cilët janë proceduar dhe janë sekuestruar dy arme zjarri dhe jemi ne fazën e mbledhjen e informatave te mëtutjeshme. Është njoftuar prokuroria lidhur me çdo veprim”, thuhet në përgjigjen për Gazetën Sinjali të zyrës për informim të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.              

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, njofton se dy të dyshuarit, pas intervistimit janë liruar në procedurë te rregullt me vendim te prokurorit. Policia bën të ditur se dy armët e konfiskuara kanë qenë pa leje. Ndërkohë, Gazeta Sinjali merr vesh nga burimet se njëra prej armëve të konfiskuara ka qenë me gas.

Policia në Pejë njofton se në koordinim me prokurorin kompetent është duke mbledhur informacione shtesë në drejtim të ndriçimit të këtij rasti./Gazeta Sinjali/