Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës deri tani janë testuar vetëm 308 mostra për dyshime me koronavirus, ndërsa 370 persona kanë telefonuar në numrat emergjentë vetëm 24-orët e fundit, pasi dyshojnë se janë infektuar, shkruan Gazeta Sinjali.
Para pak minutash është konfirmuar edhe një rast me koronavirus, duke e çuar në 20 numrin e të infektuarve.
“Nga data 08.02.2020 deri me 18.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 308 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe gjithsej njëzet raste prej tyre kanë rezultuar pozitive”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
“Vetëm në 24 orët e fundit janë pranuar 370 thirrje telefonike”, njofton instituti.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) thotë se po përcjell me vigjilencë të shtuar situatën epidemiologjike me COVID-19, po monitoron të gjitha rastet e kontakteve si dhe atyre të cilëve u është rekomanduar vetëizolimi shtëpiak.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 18 mars 2020 sipas Worldmeters, janë raportuar gjithsej 204.047 raste të COVID-19 me 8.250 raste të vdekjes, përderisa në BE/AEE dhe Mbretëri të bashkuar janë raportuar gjithsej 81.622 raste të COVID-19: Itali (31.506), Iran (17.361), Spanjë (13.716), Francë (7.730), Gjermani (9.877), Mbretëri të Bashkuar (1.950), Holandë (1.705), Belgjikë (1.486), Greqi (387), Serbi (83), Kroaci (81), Shqipëri (59), Maqedoni e veriut (31).
Deri me 18 mars 2020 nga vendet e BE/AEE dhe Mbretëri të bashkuar janë raportuar 3.454 raste të vdekjes: Itali (2.503), Spanjë, Iran (1.135), (533), Francë (175), Mbretëri të Bashkuar (71), Gjermani (26), Belgjikë (10), Poloni (5), Greqi (5), Danimarkë (4), Norvegji (4) Austri (4), Bullgari (2), Irlandë (2), Hungari (1), Luksemburg (2) dhe Shqipëri (2), Turqi(1). /Gazeta Sinjali/