Në paralelen “Zahir Pajaziti” në Brainë vijojnë mësimin gjithsej 23 nxënës.
Në paralelen e ndarë të shkollës “Zahir Pajaziti” në fshatin Brainë të Podujevës, vijojnë mësimin gjithsej 23 nxënës. Numri maksimal në një klasë është 4 nxënës. Derisa në klasën e shtatë është vetëm 1 nxënës.
Ky lloj i mësimit lejohet me ligjin për arsimin parauniversitar, por një sistem i tillë nuk garanton cilësi në vlerësim.
Leonard Rexhepi është i vetëm në klasë. Kjo qetësi në klasë është e përditshme për të.
“Dita e sotme nuk ka qenë e mirë se jam veç vetëm dhe ishte monotone”, thotë Leonardi për RTK-në.
Edhe klasat e tjera në paralelen e shkollës “Zahir Pajaziti” në Brainë, nga klasa e parafillorëve deri në klasën e nëntë, numri maksimal i nxënësve në një klasë është katër. Në nivelin fillor mësimi zhvillohet në klasa të kombinuara.
“Nuk ka asnjë përparësi, por duke pas parasysh rrethanat që ka shkolla jonë jemi të detyruar të punojmë kështu. Te përmbajtjet nxënësit në këto klasë të kombinuara, shpesh herë i ngatërrojnë, por mundohemi t’i ndajmë tabelën për klasë e tertë dhe të pestë”, thotë mësuesi Naser Islami.
Mësimi në këtë formë edhe pse lejohet me ligjet për arsimin parauniversitar, nuk sjellë cilësi mësimore, thonë njohësja e fushës së arsimit, Gresa Statovci.
“Në shkollat ku ka më pak nxënës, cilësia nuk është e njëjtë sikurse në shkollat ku numri i nxënësve që është më i madh, kjo ka të bëjmë edhe me aspektin e financimit të shkollave”, thotë Statovci.
Me reformën arsimore që ata nxënës të barten në shkollën amë në Orllan, nuk janë të pajtimit drejtuesit e shkollës, pasi sipas tyre mbajtja e hapur e paraleles në Brainë është plan kombëtar, që banorët të mos braktisin këto zona edhe ashtu pak të banuara.
Drejtues të Ministrisë së Arsimit vlerësojnë se kjo dhe shumë çështje të tjera do të ndryshohen me jetësimin e strategjisë arsimore 2022 – 2026, e cila është në hartim e sipër.