image Vetëdorëzohet në polici një i dyshuar për kontrabandim me mallra në rastin e Karaçevës

Drejtësi

Vetëdorëzohet në polici një i dyshuar për kontrabandim me mallra në rastin e Karaçevës

news image

L.S., i dyshuar për “kontrabandim me mallra” në zonën e Karaçevës, ku ditë më parë u zhvillua mega-aksioni i Policisë së Kosovës, është vetëdorëzuar sot në polici, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin e kanë bërë të ditur përmes një komunikate të përbashkët Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës, në të cilën thuhet se i dyshuari, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.

“Me vendim të prokurores së rastit, i dyshuari L.S., është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Kontrabandimi i mallrave’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ndaj të njëjtit, brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan”, thuhet në njoftimin për media.

Numri i personave të ndaluar si rrjedhojë e këtij mega-aksioni në Karaçevë, ka shkuar në 31.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës, Policia e Kosovës dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit thonë se do të vazhdojnë të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me këtë rast./Gazeta Sinjali/