image Veseli: Reciprociteti, taksa, demarkacioni dhe dialogu u keqpërdorën për interesa të politikës

Politikë

Veseli: Reciprociteti, taksa, demarkacioni dhe dialogu u keqpërdorën për interesa të politikës

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë Hoti për heqjen e reciprocitetit. Përmës një shkrimi në profilin e tij në Facebook, Veseli thotë se reciprociteti, taksa, demarkacioni dhe dialogu u keqpërdorën në vazhdimësi për interesa të politikës ditore nga një grusht partish politike.

“Sot, Qeveria e status quos dhe vazhdimit të mashtrimit, largoi vendimin mashtrues për reciprocitetin, dhe mirë ka bërë. Por, është vijim i një kurthe të ngritur nga Albin Kurti para ikjes nga pushteti, si shantazh politik dhe hakmarrje për t’i vendosur një tjetër pengesë Kosovës”, shkruan Veseli, transmeton Gazeta Sinjali.

Postimi i plotë i Veselit:

Reciprociteti, taksa, demarkacioni, ashtu si dhe dialogu u keqpërdorën në vazhdimësi për interesa të politikës ditore nga një grusht partish politike që ndryshojnë qëndrime varësisht nëse janë në pushtet ose në opozitë. Ato asnjëherë nuk menduan për interesat e qytetarëve dhe të vendit, dhe kurrë nuk u sollën me pjekuri karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve mike evropiane. Kauzat elektorale që mashtrojnë qytetarët dhe i zhgënjejnë çdo ditë, mbetet busulla e vetme e veprimit të tyre politik.

Sot, Qeveria e status quos dhe vazhdimit të mashtrimit, largoi vendimin mashtrues për reciprocitetin, dhe mirë ka bërë. Por, është vijim i një kurthe të ngritur nga Albin Kurti para ikjes nga pushteti, si shantazh politik dhe hakmarrje për t’i vendosur një tjetër pengesë Kosovës.

Por, ku po mbetet pjekuria dhe serioziteti ndaj partnerëve të shtetit të Kosovës, SHBA dhe BE, si dhe interesi i qytetarëve, me të cilin abuzohet turpshëm dhe për qëllime të pastra elektorale.

Lufta për pushtet ka vërbuar të dyja këto qeveri që dolën pas zgjedhjeve të 6 tetorit, duke keqpërdorur kauzat qytetare dhe dëmtuar interesat afatgjate nacionale të Kosovës. PDK-ja është partia e vetme që do ta përmbyllë misionin e nisur të shtetndërtimit, rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe anëtarësimin në BE dhe NATO. /Gazeta Sinjali/