Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës pasi sipas tij, nuk po mund ta kupton rolin e saj në këtë gjendje të jashtëzakonshme.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Veseli tha se pandemia në vendin tonë është shumë komplekse dhe do të ketë konsekuenca shumëdimensionale.
“Në këtë situatë në të cilën jemi, Kosova, pos pasojave momentale, do t’i ketë edhe pasojat afatgjate për të ardhmen, në kontekstin ekonomik dhe politik”, ka shkruar Veseli
Veseli thotë se injorimi i Qeverisë së Kosovës do t’i dëmtojë rëndë ndërmarrësit, puntorët dhe prodhuesit.
“Shumë ndërmarrës, punëtorë, prodhues, hotelieri, tregti, nëse lihen kështu si deri më sot dhe nuk ndihmohen me një plan të qartë, të shpejtë dhe konkret, mund të dëmtohen rëndë nga ky injorim i Qeverisë së Kosovës”, ka shkruar Veseli.
Ai po ashtu ka theksuar se nuk duhet të lihen anash as raportet me SHBA-të.
“Po ashtu, në kontekstin politik, një çështje tejet e rëndësishme nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes: raportet tona me SHBA-të. Antiamerikanizmi i Qeverisë Kurti po i shkatërron këto marrëdhënie dhe po i largon investitorët amerikanë nga Kosova. Kjo mund të jetë me pasoja shumë më të rënda e më të mëdha sesa Coronavirusi. Sidomos tash, kur na është bërë e ditur sa vlen ndihma e miqve në kohë të vështira”, ka shkruar Veseli.
Pak minuta më parë në Kosovë është shënuar rasti i 17-të me koronavirus./Gazeta Sinjali/