image Veseli promovohet nga vartësit e tij si kandidat për kryeministër

Kosovë

Veseli promovohet nga vartësit e tij si kandidat për kryeministër

news image

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, duket se po e synon postin e kryeministrit. Për këtë çështje ka folur bindshëm nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti, sipas të cilit, kjo parti është si prind për partitë e tjera dhe se kësaj radhe PDK nuk do ta dorëzojë postin e kryeministrit.

 “Çështja e zgjedhjeve të parakohshme është një e mirë që të gjitha partitë janë pajtuar që të ndodhin. Ndërkaq që para zgjedhjeve të parakohshme, Partia Demokratike e Kosovës, ka zgjedhur kandidatin e saj për kryeministër. Në këtë drejtim, PDK e ka liderin e saj për kryeministër të Kosovës”, ka deklaruar Hoti.

Derisa ka folur për zgjedhjet e parakohshme, Hoti ka theksuar se PDK i jep kuptim vendimmarrjes në shtet-formësimin e Kosovës.

“PDK deshtëm apo nuk deshtëm të pranojmë ne apo kundërshtarët politikë, PDK është kërthiza e vendimmarrjes së skenës politike në Kosovë. Kjo nuk do të thotë se ne jemi të pagabueshëm se ne jemi gjithmonë më të mirët por kjo do të thotë se PDK i jep kuptim vendimmarrjes në shtet-formësimin e Kosovës. PDK i jep kuptim zhvillimit ekonomik të Kosovës, PDK i fuqizon edhe të tjerët duke i marrë ndonjëherë me vete e duke iu dhënë poste”, ka thënë Hoti.

Zgjedhjet e parakohshme pritet të mbahen më së largu në fillim të muajit tetor, pasi Kryesia e Kuvendit, vendosi që seanca për shpërndarjen e legjislativit të mbahet më 22 gusht./Sinjali/