Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, pas vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë, ka thënë se kjo është një ngjarje e rëndësishme edhe për Kosovën, shkruan Gazeta Sinjali.
Veseli ka thënë se Kosova sot është një hap më afër me Bashkimin Evropian. Ai është shprehur optimist se hap tjetër i BE-së të jetë liberalizimi i vizave për Kosovën.
“Këshilli i Ministrave të BE-së, sot, më në fund, vendosi që të japë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Urojmë përzemërsisht bashkëkombasit tanë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo ngjarje është e rëndësishme jo vetëm për këto dy shtete, por edhe për Kosovën e mbarë rajonin, sepse që nga sot gjendemi një hap më afër BE-së. Shpresoj që ky përmirësim i qëndrimit të BE-së përkundrejt Ballkanit Perëndimor, që po demonstrohet nga ky vendim, të ketë si hap tjetër të natyrshëm edhe liberalizimin e shumëpritur të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në postimin e Veselit./Gazeta Sinjali/