Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka mbërritur në Hagë, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Angela Griep.
“Po, z.Veseli u transferuar përsëri në Hagë sot dhe ka arritur në qendrën e paraburgimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjet e Griep për Sinjalin.
Veseli qëndroi tri ditë për vizitë te babai i tij, i cili është i shtrirë në Spitalin e Mitrovicës, për shkak se ka pësuar sulm në tru.
Gjatë kohës sa qëndroi në Kosovë, Veseli ishte nën përcjelljen e njësisë speciale të EULEX-it dhe ai nuk u lejua të shkonte në shtëpi ose në banesën e tij, por vetëm në qendrën e këtij misioni në Fushë-Kosovë./Gazeta Sinjali/