Teksa ka sqaruar se si do të veprojë me taksën ndaj Serbisë, në mënyrë që të rifillojë procesi i dialogut, kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, ka thënë se qëndrimi i tij do të jetë i njëjti siç ka qenë deri më tani, suspendimi 120 ditësh, ashtu siç është dakorduar me partnerët amerikanë.
Ai ka akuzuar ish-partnerët e koalicionit se në këtë opsion e kanë lënë në lloç.
“Ku të është SHBA dhe BE aty kam me qenë unë. Qëndrimi im për taksën dihet, nuk e di pse duhet me humbë kohë me fol tash, unë kam bërë një mund të madh, me SHBA-në e kam ofruar opsionin. Historinë e taksës e dini, historia e kërkesës së amerikanëve për suspendim për 120 ditë e pastaj me kalu në reciprocitet. Por në këtë opsion më kanë lënë në lloç! Mos të mendojë dikush që më ka skuqë me këtë veprim, ata e kanë skuqë vetën ”.
Veseli tha se ata që po rrahin gjoks se nuk do ta heqin taksën, po e manipulojnë popullin për vota.
“Ata që kanë thënë se e nuk kanë me e heq taksën, kanë me e heq qysh në ditën e parë. Mos iu besoni, a unë kam me e mbajt fjalën ashtu siç e kam pas në plan bashkë me SHBA-të. Në këtë temë e kanë manipulu popullin vetëm sa me i fitu do vota”, është shprehur Veseli.
Kreu i PDK-së ka folur edhe për idenë e korrigjimit të kufijve duke theksuar se ndarja nuk do të ndodhë kurrë dhe se Mitrovicën e veriut do të mund ta shohin vetëm në ëndërr./Gazeta Sinjali/