image Veseli i reagon Vuçiqit: Hiq dorë nga provokimet!

Kosovë

Reagim/ Veseli i reagon Vuçiqit: Hiq dorë nga provokimet!

news image

Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër të ardhshëm, Kadri Veseli, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave provokuese që sonte ka bërë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq pas incidentit në urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë ku një i ri serb ka mbetur i lënduar.

Veseli vlerëson se deklaratat e Vuçiqit kanë për synim cenimin e sigurisë së Kosovës dhe dëmtimin e stabilitetit rajonal, ndërsa i ka bërë thirrje Beogradit t’i ndalojë provokimet.

Reagimi i plotë i Kadri Veselit:

Loja që Alekandër Vuçiq po luan, për interesa të tij të ngushta dhe për konsum të brendshëm politik, është në dëm të bashkëqytetarëve tanë serbë të Kosovës. Deklarata e tij e sotshme ka për synim cenimin e sigurisë së Kosovës dhe dëmtimin e stabilitetit rajonal. Prandaj, i bëj thirrje Beogradit, që të heqë dorë nga provokimet dhe të lërë bashkëqytetarët tanë serbë rehat të lirë.

Nga ana tjetër, unë dënoj ashpër krimin ordiner të kryer sot dhe bëj thirrje ndaj organeve të zbatimit të ligjit që sa më shpejt të zbardhin ngjarjen dhe të vendosin përpara drejtësisë përgjegjësit.

Shqiptarët dhe serbët nuk kanë probleme në Shtërpcë, Graçanicë, Novobërdë apo shumë vende të tjera ku jeton shumica dërmuese e komunitetit serb në Kosovë.

Problemet ekzistojnë vetëm aty ku Serbia ka interes që të shkaktojë konflikt. Kosova është një shtet evropian demokratik, multi-etnik që garanton maksimumin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve jo-shumicë, dhe kurrsesi nuk do të lejojë krijimin e mureve artificialë të ndarjes apo urrejtjes ndër-etnike.

Me këtë rast i siguroj bashkëqytetarët tanë serbë që Kosova është shteti i të gjithëve atyre që jetojnë këtu dhe do të kujdeset njësoj për të gjithë kudo ku banojnë.