image Veseli fton veteranët në ‘luftë’ për ta çliruar Kosovën nga korrupsioni

Kosovë

Fushatë/ Veseli fton veteranët në ‘luftë’ për ta çliruar Kosovën nga korrupsioni

news image

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Kadri Veseli, është takuar me veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët i ka ftuar që bashkë ta zgjidhin çështjen e veteranëve të rrejshëm.

Ai ka premtuar se do të jetë krah veteranëve edhe në mandatin e ardhshëm.

Ne do t’i luftojmë pakompromisë abuzimet dhe shpërdorimet, duke ndërmarrë hapa konkretë për ta zgjidhur njëherë e mirë çështjen e mashtruesve që janë futur në mënyrë abuzive në listat e veteranëve. Unë besoj në nevojën e aplikimit të politikave aktive sociale edhe tek çështja e veteranëve”, ka thënë ai.

Veseli ka premtuar se në mandatin e ardhshëm qeverisës do të vendosë që të gjithë veteranët e punësuar në sektorin privat të marrin 80 për qind të pagesës së veteranit, kurse, për të punësuarit në sektorin publik që marrin para nga taksapaguesit, ka thënë se kjo pagesë e veteranëve do të bëhet në 50%.

“Përveç pensioneve, përfituesit e skemës së veteranëve do të vazhdojnë të kenë benificione në lirim nga shpenzimet e energjisë elektrike dhe lirim nga shpenzimet e zhdoganimit të veturave. Po ashtu, do u jepet përparësi në marrjen e kredive për hapjen e bizneseve apo në suvencione bujqësore, në mënyrë që veteranët të ndërtojnë bizneset e tyre të suksesshme dhe të bëhen pjesë e rritjes ekonomike të vendit”, ka thënë Veseli.

Në anën tjetër, ai ka kërkuar nga veteranët mbështetje në luftën kundër korrupsionit.

“Unë jam i bindur që juve ju dhimbset Kosova si pakkujt tjetër, sepse ju keni qenë të gatshëm ta jepni jetën për Kosovën. Të gjithë ne si ish-luftëtarë mbajmë mbi supe barrën e rëndë të amanetit të bashkëluftëtarëve që na kanë rënë në fushëbeteja afër nesh, të cilët kanë ëndërruar një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të zhvilluar. Prandaj ju ftoj të gjithëve që të bashkoheni në luftën kundër korrupsionit për ta ndërtuar të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, i ka bërë thirrje veteranëve të luftës që të votojnë shokët e tyre me të cilët, siç ka thënë, kanë qenë në front të luftës së UÇK-së./Gazeta Sinjali/