Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës PDK, Kadri Veseli, do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së presidentit Hashim Thaçi për takim konsultativ lidhur me mundësinë për formimin e Qeverisë.
Ftesa Veselit i kishte ardhur një ditë më parë. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyçi, sipas të cilit takimi Thaçi-Veseli do të ndodhë të mërkurën në orën 11:00.
“E kemi pranuar ftesën, dhe në përputhje me pergjegjesitë tona si partia më e madhe opozitare, kryetari i PDK-së z. Veseli do të marr pjesë në takimet konsultative të ftuar nga Presidenti i vendit”, u shpreh Bytyçi.
Ai tha se kryetari i PDK-së, do të shkojë në takim me presidentin prej orës 11, por që nuk ka ndonjë kërkesë politike.
Pas mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti, presidenti Thaçi kishte paralajmëruar se do të mbajë takime konsultative me liderët e partive politike në vend për mundësinë e formimit të Qeverisë së re./ Gazeta Sinjali/