image Veseli: Duhet të nisim hapjen e ekonomisë pasi që pasojat nga Covid-19 do të jenë të mëdha

Kosovë

Pandemia/ Veseli: Duhet të nisim hapjen e ekonomisë pasi që pasojat nga Covid-19 do të jenë të mëdha

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës së sotme në Kaçanik, ka bërë thirrje për hapjen e ekonomisë pasi që pasojat e krizës me pandemi në Kosovë do të jenë të mëdha.

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi e informoi kreun e PDK-së me gjendjen shëndetësore të të infektuarve me COVID-19, për çka tha se gjendja me pandemi në këtë komunë është nën kontroll.

 “Për momentin kur po flasim jemi më të relaksuar pasi kemi vetëm një familje të izoluar… Pjesa tjetër me sfiduese është ajo e si Kaçanik ne e dimë që gjendja ekonomike është vështirësuar në përgjithësi në vendin tonë, por specifikat e komunave po ndryshojnë dhe mendoj që Kaçanikun kësaj radhe e ka goditur në krahasim me disa komuna tjera më tepër. Ne si shtab jemi munduar që t’u dalim në ndihmë qytetarëve me masat që kemi ndërmarrë. Kemi ndarë një fond prej 100 mijë euro, megjithatë deri më tani pothuajse këtë fond e kem shpenzuar për shkak të nevojave të mëdha. Kemi ndarë rreth 3 mijë pako për qytetarë, por duke e ditur që Komuna e Kaçanikut ka 33 mijë banorë dhe 900 familje me asistencë sociale, kjo situatë na ka vështirësuar edhe më tepër”, tha ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli gjatë këtij takimi ka akuzuar nivelin qendror për vonesa dhe papërgjegjësi sa i përket masave të ndërmarra kundër përhapjes së COVID-19 dhe se më tepër ka pasur politizim në këtë drejtim.

Sipas tij tani është koha që të nisë funksionimi i bizneseve në vend që janë të mbyllura tash e disa javë si masë për parandalimin e përhapjes së COVID19.

 “Është një vonesë është një papërgjegjësi për faktin se qarkullimi i parasë duhet të futet në funksion për faktin, se dikur mundet me qenë vonë mund t’i japim edhe shumë miliona për t’u mbajtur në aspektin social, por nuk ka rigjenerim… Ne duhet të hapemi ekonomikisht. Vendet perëndimore vetëm kanë filluar, besoj nga maji edhe ne duhet të rrezikojmë ta çelim ekonominë për shkak se pasojat janë të mëdha… Jemi marrë në kohën e pandemisë tejskajshmërisht me politizime, kemi nevojë të tejkalojmë pandeminë dhe pastaj pjesa e politikës kur të kryhet nuk është shumë me rëndësi”, tha ai.

Veseli foli edhe për pakon emergjente të propozuar nga ai për të cilën tha se pakoja u del në ndihmë bizneseve por edhe komunave. Sipas tij nuk duhet të lejohet kolapsimi i ekonomisë në vend.

 “Komunat po e kryejnë punën e vet. Besoj që në aspektin qendror institucionet duhet të kryejnë punën e vet. Kemi iniciuar një pako të rimëkëmbjes ekonomike e cila prek drejtpërdrejt punonjësit e sektorit privat dhe komunat. Komunat si ju nën 50 mijë banorë i marrin 500 mijë euro edhe në aspektin social dhe shëndetësor të ballafaqimit edhe sektori privat ka mundësi jo t’u jepet lëmoshë, por të rigjenerojë të hyra. Ne nuk guxojmë të lejojmë assesi kolapsin e ekonomisë së Kosovës”, tha ai.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli gjatë ditës së sotme ka vizituar edhe pikën kufitare në Han të Elezit dhe kompaninë “Alba Group”.