Gjatë ditëve të fundit në tërë vendin pati reshje të mëdha shiu duke shkaktuar kështu vërshime të mëdha, shkruan Gazeta Sinjali.
Njëra nga komunat më të prekura nga vërshimet është Fushë Kosova, ku dëmet e shkaktuara janë të mëdha.
Zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli, në një prononcim për Gazetën Sinjali ka njoftuar se nuk dihet numri i të evakuuarve, por që gjendja e tyre shëndetësore thotë se është e mirë.
“Ende nuk kemi numër të saktë se sa, sepse vazhdojnë të lëvizin kohë pas kohe. Ata janë vendosur te të afërmit e tyre. Nuk kanë asnjë problem shëndetësor, asnjë nuk është lajmëruar që ka probleme shëndetësore”, tha Topalli.
Topalli tha se kjo Komunë nuk e di as vlerën e saktë të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, ndonëse thotë se janë të mëdha.
Ai tha se komisionet komunale kanë dalë në terren për të bërë regjistrimin e dëmeve.
“Komisionet tona punuese janë në terren duke bërë regjistrimin e tyre, ende nuk e kemi një raport përfundimtar por që gjendjen jemi duke e përcjellur dhe situatën e kemi nën kontroll. Dëmet janë të mëdhaja dhe vlera nuk dihet sepse Komisionit i duhet kohë që të vijë tek raporti përfundimtar”, shtoi ai./Gazeta Sinjali/