Nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi ka treguar se vërshimet e fundit i kanë dëmtuar ekonomitë familjare me rreth 500 mijë euro, kurse 100 familje kanë pësuar dëme, transmeton Gazeta Sinjali.
Ai ka sqaruar se në këtë shumë nuk janë përfshirë dëmet e shkaktuara te bizneset si dhe tokat bujqësore.
“Këto vërshime kanë dëmtuar edhe shtëpitë si në Albanë të Madhe e të Vogël që janë disa përroska të cilat rrjedhin”.
“Ne si komunë kemi formuar komisionet për vlerësimin e dëmeve që kanë shkaktuar vërshimet jemi në përfundim të vlerësimeve dhe po llogarisim përafërsisht që dëmet vetëm në ekonomitë familjare mund të arrijnë deri në 400-500 mijë euro pa llogaritur edhe dëmet që janë bërë në bizneset e vogla dhe të mesme në Fushë-Kosovë dhe pastaj edhe dëmet në sipërfaqet bujqësore”.
“Llogaritet që uji brenda në shtëpi uji ka hyrë në 100 shtëpi me të cilat natën kritike që kanë të vërshuara së bashku me Forcën e Sigurisë së Kosovës, zjarrfikësit dhe ne e kemi bërë evakuimin e tyre shtëpive dhe kryesisht janë vendosur tek të afërmit e tyre”, është shprehur ai.
Veç vërshimeve, Krasniqi njofton se edhe pandemia ka ndikuar si në ekonomitë familjare të kësaj komune ashtu edhe në bizneset e vogla, të mesme e të mëdha.
“Pandemia ka ndikuar në veçanti tek mirëqenia e qytetarëve, pastaj në vet ekonomitë familjare por edhe bizneset e vogla te mesme e të mëdha të cilat nuk kanë mundur t’i realizojnë planet që në mënyrë indirekte ajo ndikon edhe në grumbullimin e të hyrave vetanake”.
“Megjithatë edhe brenda këtij viti sipas të dhënave që kemi komuna ka arritur që ta realizojë planin e realizimit të të hyrave vetanake në Komunën e Fsuhë-Kosovës”, tha Krasniqi për EO.
Tutje nënkryetari ka treguar se kjo komunë po përfundon projektin për ndërtimin e një rrethrrotullimit që do të ndikojë në lehtësimin për qarkullim.
“Besoj që këto ditë përfundon projekti i mobilitetit që është shumë i rëndësishëm për qytetarët që do të lehtësojë qarkullimin e mjeteve në Fushë Kosovë. Së bashku më Ministrin e Infrastrukturës Abrashin kemi përfunduar një projekt që është shumë i rëndësishëm për shkarkimin e rrugës së ‘Dardanisë’, ku është përgatitur projekti lidhur me një rrethrrotullim që do të vendoset te Pompa Kastrati”, theksoi ai.