Reshjet e shiut dhe borës natën e kaluar, kanë bërë që sot sërish të ketë vërshime në disa zona të Podujevës, raporton Gazeta Sinjali.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka vizituar pjesën e qytetit te Lagjja “Shala” dhe “Tovërlanët” ku si pasojë e ngushtimit të shtratit të përroskës dhe daljes së saj nën rrugën magjistrale uji ka vërshuar.
“Në këtë zonë që nga mëngjesi ekipi emergjent i komunës dhe kompania e angazhuar ka intervenuar në hapjen shtratit të përroskës. Gjithashtu kryetari Bulliqi ka vizituar edhe Lagjen ‘Kërtokët’, ku përroska që kalon andej ka dalë nga shtrati”, thuhet në njoftimin e bërë nga Komuna e Podujevës.
Komuna e Podujevës, ashtu si edhe para dy javësh, ka angazhuar të gjitha kapacitetet për t’u dalë në ndihmë banorëve.
“Shtabin Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilin e udhëheq nënkryetarja, Marigona Lahu, do të jetë vazhdimisht i mobilizuar me qëllim të koordinimit ndërinstitucional dhe veprimeve të përbashkëta, konform situatës së krijuar. Problemet që mund t’i kenë si pasojë e vërshimeve qytetarët mund t’i adresojnë përmes platformës së komunikimit ‘Alo Komuna’ në 0800 19 110”, thuhet në njoftim.