image Veprimet sekrete të kamerierëve kosovarë të cilët po u sjellin fitime marramendëse bastoreve ilegale

Veprimet sekrete të kamerierëve kosovarë të cilët po u sjellin fitime marramendëse bastoreve ilegale

news image

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i ndaluar lojërat e fatit nuk i ka zvogëluar aspak të ardhurat e disa prej këtyre biznesmenëve, të cilët në vazhdimësi u kanë shkaktuar humbje të mëdha kosovarëve. Në fakt ky biznes ilegal po rezulton të jetë edhe më fitim prurës për këto biznese. Tashmë ky biznes po bëhet online.

Tashmë shumë persona në Kosovë e dinë mënyrën se si të luajnë ‘bastore’, ani pse shteti i Kosovës në mars të vitit të kaluar i kishte ndaluar me ligj. Në fakt janë ende disa persona që po vazhdojnë t’i shterin xhepat e kosovarëve.

Gazeta Sinjali ka marr vesh për mënyrën sesi po praktikohet zhvillimi i lojërave të fatit në Kosovë, më saktësisht parashikimin e ndeshjeve sportive.

Persona që nuk kanë dashur të identifikohen kanë thënë për Gazetën Sinjali se ‘luajtja në bastore’ është shumë e lehtë në Prishtinë.

Sipas tyre në disa prej kafiterive në Prishtinë është një qasje e tillë ku mundësohet zhvillimi i lojërave të fatit përmes parashikimit të ndeshjeve të ndryshme sportive. Sipas tyre kamerierët e lokaleve janë ata që pranojnë paratë në këmbim të ‘luajtjes së një tikete’.

“Personat që punojnë në kafe në Prishtinë, kanë siguruar usera-online dhe po punojnë ashtu, normal fitimi është shumë më i madh. Madje për dikë më i madh se në të kaluarën”, thotë një sinjalizues për Gazetën Sinjali.

Gazeta Sinjali mëson se kompanitë e ndryshme të bastoreve i japin personit një username, pastaj personave në fjalë iu mundësohet vënia e basteve për të ­gjithë klientët e tij.

Në fakt kjo mënyrë është vetëm njëra prej mundësive për zhvillimin e luajtjes së lojërave të fatit, mëson Gazeta Sinjali. Në ndërkohë në bazë të njoftimeve nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se lojërat e fatit po organizohen edhe në lokale dhe shtëpi të ndryshme.

Gazeta Sinjali, ka provuar të marr një përgjigje nga institucionet vendore lidhur me këtë dukuri që po vazhdon t’i varfëroj kosovarët.

Të pyetur se a janë në dijeni për lojërat online të cilat po luhen në mënyrë ilegale, ATK-ja, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë thënë se nuk është kompetencë e asnjërës prej tyre.

Prokuroria nuk ka dhënë asnjë informacion rreth lojërave të fatit të cilat po luhen online nga qytetarët e Kosovës, duke thënë se Prokuroria nuk ka kompetencë të flasë për këto raste.

“Rastet për të cilat është njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim të vazhdueshëm, kemi ndërmarrë veprime të nevojshme hetimore, duke zhvilluar bastisje në lokacione të ndryshme, sekuestruar pajisje të lojërave të fatit, e që kanë përfunduar edhe me arrestimin e personave të dyshuar, hetimin dhe ngritjen e aktakuzave ndaj tyre, në drejtim të veprës penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’, nga neni 294 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Sa i përket Prokurorisë Themelore në Prishtinë, aktualisht, kemi raste, ndaj të cilave janë duke u zhvilluar procedura hetimore, deri në zgjidhjen përfundimtare të tyre. Ndërsa, sa i përket pyetjeve të tjera, nuk jemi kompetentë të japim përgjigje”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga zyrtarja për informim në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

Asnjëra nga organet përgjegjëse në Kosovë nuk kanë pranuar të marrin përgjegjësinë për lojërat e fatit të cilat po luhen online. Serveri për lojëra të fatit vazhdon të jetë aktiv, pavarësisht se një gjë e tillë është jashtëligjshme në Kosovë.

E kontaktuar për këtë çështje Policia e Kosovës, ka thënë se rastet e tilla nuk janë kompetencë e Policisë. Ndërkohë që në bazë të statistikave gjatë vitit 2019, Polic-ia e Kosovës ka intervenuar në 137 raste ku është dyshuar për vepra të ngjashme.

Policia e Kosovës thotë se çështja e mbylljes së lokaleve nuk është kompetencë e policisë.

 “Policia e Kosovës gjatë vitit 2019, ka iniciuar 137 raste nga vepra penale: ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’. Rastet janë trajtuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe ndaj secilit të dyshuar janë marrë veprimet adekuate ligjore,” thuhet në përgjigje për Gazetën Sinjali nga Policia e Kosovës.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), lidhur me veprimtarinë e jashtëligjshme të lojërave të fatit. Zyrtarja për informim në  ATK, Valentina Bytyqi, përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se në mars të vitit 2019 janë mbyllur bizneset e lojërave të fatit.

“Nga marsi i vitit 2019  janë mbyllur gjithsej 306  lokale me baste, 133 lokale me automate dhe 6 lokale me veprimtarinë bingo” , thotë Valentina Bytyqi – Sefa nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Ajo thotë se tani ATK-ja nuk ka asnjë kompetencë rreth lojërave të fatit të cilat zhvillohen jashtëligjshëm.

“Si aktivitet është i ndaluar, gjë që e atakon Policinë dhe Prokurorinë, mu merr me këto çështje. Na nuk kem asnjë kompetencë, bile nuk kem as pse me fol rreth tyre, neve na kanë hekë përgjegjësin”, ka deklaruar Valentina Bytyqi – Sefa.

Ligji për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë, i cili ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjet, ka hyrë në fuqi në muajin maj të këtij viti, mirëpo puna ilegale është duke u vazhduar ende nga disa persona.

Ligji ishte propozuar nga Qeveria e Kosovës, kurse u miratua në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës me 28 mars të vitit të kaluar.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit është marrë, pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, u vranë dy persona./Gazeta Sinjali/