image Vendosja e masave emergjente, Rizvanolli: Kanë për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve

Kosovë

Vendosja e masave emergjente, Rizvanolli: Kanë për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve

news image

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është deklaruar pasi Qeveria ka miratuar propozim-vendimin për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.

Përmes një postimi në Facebook, Rizvanolli ka thënë se ky komitet do të identifikojë dhe rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara në bazë të të cilave Ministria e Ekonomisë do të marrë vendimin dhe publikojë masat kufizuese.

Postimi i plotë:

Sot kemi mbajtur mbledhjen e 51-të të Qeverisë së Kosovës virtualisht ku edhe kemi miratuar propozim-vendimin për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.

Ky propozim-vendim nuk parasheh ndërmarrjen e masave specifike por parasheh themelimin e Komitetit Teknik në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve për masa.

Komiteti Teknik parashihet të përbëhet nga përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante si Ministria e Ekonomisë (ME), Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Operatori i Sistemit të Distribucionit (KEDS), Furnizuesi i Shërbimit Univerzal (KESCO), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), si dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK).

Ky komitet do të identifikojë dhe rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara në bazë të të cilave Ministria e Ekonomisë do të marrë vendimin dhe publikojë masat kufizuese.

Duke u bazuar në këto rekomandime, Qeveria si masë emergjente do të vendosë obligime të veçanta për ndërmarrjet e energjisë me qëllim të trajtimit të çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit, apo të shpërndarjes së energjisë.

Propozim-vendimi i miratuar sot ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, mbrojtjen e sigurisë publike, si dhe kryerjen e shërbimeve të domosdoshme për menaxhimin e sigurisë së rrjetit. Për më shumë, ky propozim-vendim ka për qëllim trajtimin e kategorisë së konsumatorëve të mbrojtur në përputhje me legjislacionin për energji. /GazetaSinjali/